Një mbrëmje e tëra për t’u harruar ajo e së dielës në “San Siro” për Interin, i cili pësoi humbjen e parë në Serinë A. Fiorentina arriti një fitore të thellë 1-4, duke u ngjitur në vendin e parë në renditje së bashku me Interin.
Ndeshja nisi si mos më keq për zikaltrit, pasi që në minutën e 4-t Fiorentina fitoi një 11-metërsh, të cilin e ktheu në gol Ilicic. Ndërsa në minutën e 19 dhe 23 ishte Kalinic ai që realizoi dy gola, duke e çuar rezultatin në 0-3. Sikur të mos mjaftonin 3 golat e pësuar, Miranda ndëshkohet me kartonin e kuq duke e lënë ekipin me 10 lojtarë dhe me tre gola të pësuar në “San Siro”.
Me nisjen e pjesës së dytë, Mancini hodhi në fushën e lojës Ranocchia për të mbyllur hapësirat e lënë nga Miranda i larguar me kartonin e kuq, ndërsa nga fusha e lojës u largua francezi Kondogbia.
Edhe pse me një lojtar më pak, Interi gjeti forca për të reaguar, madje në minutën e 59 kapiteni Icardi gjeti edhe golin duke ngushtuar shifrat në 1-3.
Por vetëm kaq, pasi në minutat e mbetura Fiorentina e administroi më së rezultatin, madje shënoi edhe golin e katërt, ku sërish autor ishte Kalinic që vulosi rezultatin në 1-4.
Me këtë fitore Fiorentina i është bashkuar Interit në krye të renditjes me 15 pikë, ndërsa ndiqen nga Torino me 2 pikë më pak.
Top Channel