Bordi i prodhuesit të automjeteve Volkswagen takohet këtë të premte, pas skandalit që përfshiu grupin, për të ndryshuar menaxherët.
Në axhendën e bisedimeve do të jetë zëvendësimi i shefit ekzekutiv Martin Winterkom, që dha dorëheqjen të mërkurën.
Mediat gjermane raportojnë se në vendin e parë për këtë detyrë është drejtori ekzekutiv i “Porsche”, Matthias Mueller.
VW pritet gjithashtu të shkarkojë një seri drejtorësh për shkak të skandalit të çlirimit të gazrave në automjetet me dizel, që u konstatua në Shtetet e Bashkuara.
Disa investitorë kanë sugjeruar se vendosja e një drejtori të ri ekzekutiv vetëm dy ditë pas dorëheqjes së të vjetrit mund të jetë një veprim i ngutur.
Sasja Beslick nga Nordea, që është një nga investitorët kryesorë të Volkswagen, tha për BBC: “Mendoj se ky është një reagim në momente paniku nga ana e bordit të kompanisë”.
Por ai shtoi se nga ky veprim mund të ketë edhe përfitime. “Ata duhet me doemos të rikthejnë besimin tek tregjet dhe një nga mënyrat më të mira për ta bërë këtë është caktimi i një drejtuesi të ri dhe t’i atribuojnë keqmenaxhimin të vjetrit”.
Gjithashtu, raportohet se VW mund të diskutojë edhe për ndryshime të mundshme në strukturën e korporatës.
Top Channel