Një ditë pas daljes historike para Kongresit amerikan, Papa Françesku mbajti fjalimin e tij në Kombet e Bashkuara, ku apeloi për të luftuar betejën e varfërisë dhe ndryshimet klimatike.
“Shenjtëria juaj! Ju falënderoj që me këtë vizitë bëtë historinë”, me këto fjalë iu drejtua Ban Ki-moon udhëheqësit shpirtëror të katolikëve. Papa Françesku ishte i ftuari i nderit, që hapi punimet e sesionit të 70 të OKB-së.
“Organizata e Kombeve të Bashkuara duhet të bëjë më shumë përsa i përket pabarazisë midis kombeve, e kjo bëhet fillimisht duke krijuar barazi në mesin e anëtarëve tuaj. Ndërkombëtarët duhet të kujdesen për zhvillimin e qëndrueshëm të vendeve dhe duhet të sigurohen, që njerezit të mos u nënshtrohen sistemeve shfrytëzuese, të cilat gjenerojnë varfëri më të madhe”, tha Ati i Shenjtë.
Përveç pabarazisë, Ati i Shenjtë deklaroi se ndryshimet klimatike janë një tjetër kërcënim për njerëzimin.
“Kriza ekologjike dhe shkatërrimi në shkallë të madhe i biodiversitetit mund të kërcënojnë seriozisht ekzistencën tonë”, tha Papa.
Papa Françesku vlerësoi arritjet e Kombeve të Bashkuara dhe përpjekjet e saj për të zgjidhur konfliktet, e po ashtu respektimin e të drejtave të njeriut.
Por, Ati i Shenjtë qortoi ashpër fuqitë botërore të Këshillit të Sigurimit, për dështimin e tyre në gjetjen e një zgjidhjeje paqësore të luftës në Lindjen e Mesme, duke iu referuar në mënyrë specifike Sirisë dhe Irakut.
Përsa i përket marrëveshjes bërthamore me Iranin , Papa Françesku vlerësoi hapin e fundit si “dëshmi të potencialit të vullnetit politik”. Por ai kundërshtoi me forcë ndërtimin e armëve bërthamore, duke thënë se ky mbetet një nga shqetësimet e tij të vazhdueshme.
“Është nevojë urgjente për të pasur një botë pa armë bërthamore. Duhet të jeni të kujdesshëm në ndalimin e kësaj artilerie të rrezikshme, me qëllim ndalimin e plotë të këtyre armëve”, tha Papa.
Për ambientalistët dhe ekspertët e çështjeve ndërkombëtare, vizita e Papa Françeskut në Shtetet e Bashkuara ka qenë një ndihmesë shumë e madhe, pasi Ati i Shenjtë ka ngritur vazhdimisht shqetësimet e tij në lidhje me tematikat e prekshme për të gjithë njerëzit në mbarë botën.
Top Channel