OKB: Në Europë do vijnë të paktën 8 mijë refugjatë në ditë

25/09/2015 17:30

Një fluks ditor prej 8 mijë refugjatësh sirianë dhe irakenë në Evropë ka gjasa që të vazhdojë edhe pasi situata të jetë vendosur nën kontroll.

Kështu ka paralajmëruar këtë të premte koordinatori rajonal i Kombeve të Bashkuara për refugjatët, Amin Awad, në një prononcim për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

Fluksi ka shkaktuar tensione mes vendeve fqinje në Europën qendrore, të cilat kanë vazhduar edhe këtë të premte, pavarësisht vizitës në Austri të kryeministrit hungarez Viktor Orban.

Orban dhe kancelari austriak Wener Faymann nuk u shfaqën së bashku në publik pas takimit kokë më kokë.

Zoti Faymann më herët e kishte cilësuar sjelljen e autoriteteve hungareze ndaj emigrantëve si politikat e Gjermanisë naziste, një krahasim ky që u hodh poshtë nga Budapesti zyrtar.

Duke folur nga Vjena, Orban tha se Hungaria u detyrua të ndërtonte gardhin në kufirin me Kroacinë, njësoj si ai me tela me gjemba në kufi me Serbinë.

“Ajo çfarë do të ndodhë në kufirin Hungari-Kroaci do të jetë vendimtare në ditët e ardhshme sa i takon krizës së refugjatëve”, tha ai.

Orban nënvizoi gjithashtu se, marrëdhëniet e mira tradicionale me Austrinë duhet të ruhen dhe i bëri thirrje BE-së që të shprehë “mbështetje të qartë” për mbrojtjen e kufijve të jashtëm të tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA