Presidenti amerikan, Barack Obama ka pritur homologun e tij kinez, Xi Jinping, në vizitën e parë të këtij të fundit në SHBA gjatë kësaj të premteje, e megjithatë, pas pompozitetit dhe madhështisë së kësaj vizite fshiheshin tensionet mbi akuzat për sulmet kibernetike të Kinës, politikave ekonomike të Pekinit, si dhe mosmarrëveshjet territoriale të saj me fqinjët përreth.
Obama mirëpriti Presidentin kinez Xi teksa mbërrinte në Shtëpinë e Bardhë, të shoqëruar me një nderim ushtarak nga Garda e Nderit dhe 21 të shtëna armësh. Dy udhëheqësit u ulën më pas për një bisedë formale mes tyre.
Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara he Kinës shpresojnë që këto bisedime të përmbyllen me “dritë në fund të tunelit”, qoftë edhe nëse sigurohet vetëm një fushë bashkëpunimi mes dy superfuqive; lufta globale kundër ndryshimeve klimatike; ku krerët e shteteve do të zbulojnë më vonë gjatë së premtes edhe një marrëveshje, të bazuar në akordin e një viti më parë për të ulur shkarkimin e gazeve në natyrë.
Kina pritet të shpallë nisjen e një tregu kombëtar tregtie për emetimet karbonike në vitin 2017. Megjithatë, edhe gjithë ky bashkëpunim historik pritet të lihet në hije nga disa mosmarrëveshje edhe më të mëdha, që nënvizojnë rivalitetin në rritje mes dy superfuqive ekonomike të botës.
Obama ka siguruar homologun Xi se, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të flasin hapur mbi dallimet që kanë me Kinën.
“Ne besojmë se kombet janë më të suksesshme dhe se bota bën më tepër progres, kur kompanitë tona konkurrojnë në nivele të barabarta në fushën e lojës; kur grindjet zgjidhen në mënyrë paqësore he kur të drejtat universale të njeriut mbështeten dhe gjejnë zbatim ndaj të gjithë njerëzve njësoj”, tha ai gjatë fjalimit të mirëseardhjes, me në krah homologun Xi.
Në një shenjë miqësie, Obama theksoi edhe faktin se Shtetet e Bashkuara mirëpresin rritjen e Kinës, gjithnjë nëse kjo do të jetë “e qëndrueshme, e suksesshme dhe paqësore”.
Presidenti kinez, Xi foli për nevojën e të qenit “mendjehapur” në lidhje me diferencat mes dy vendeve, për “respektin e përbashkët” që duhet të mbizotërojë dhe “takimet dypalëshe në një pikë të ndërmjetme” në mënyrë që të përmirësohen marrëdhëniet.
Top Channel