Gjykata e Korçës ka lënë në burg 4 të arrestuarit për narkotikë gjatë operacionit “Profesori”. Edion Miho, Ervis Liçi, Andi Qiraxhi dhe Gjergji Themeli u arrestuan dy ditë më parë në banesën e këtij të fundit, pasi u kapën me lëndë narkotike, por edhe armë.
Në seancën e zhvilluar për caktimin e masës së sigurimit personal ndaj të arrestuarve, gjykata ka caktuar ndaj tyre masën “arrest me burg”.
Dy ditë më parë, nga kontrolli policor i ushtruar në banesën e shtetasit Gjergji Themeli, në lagjen nr 12 të qytetit të Korçës, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 12 kg e 506 gramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis, 18 kg e 805 gramë bimë narkotike e përpunuar në gjendje të lëngët, 1 kg vaj hashashi, 1 armë zjarri automatike, 1 armë zjarri e llojit pistoletë, 1 krëhër me 11 fishekë, 3 automjete, 8 aparate celularë, 7 bidona me përzierës për përpunimin e bimës narkotike dhe një pajisje për zierjen dhe kullimin e vajit të hashashit.
Top Channel