Hetimi i CEZ, Basha: Kërkesa Kushtetueses për të hequr barrierat

25/09/2015 13:20

Lulzim Basha paralajmëroi nisjen e një beteje ligjore ndaj Edi Ramës dhe Ilir Metës për çështjen “CEZ”. Edi Rama u vu nën akuzën e tij për marrëveshjen e arritur me CEZ duke shmangur arbitrazhin, prej nga ku Lulzim Basha llogarit që qytetarët shqiptarë humbën plot 600 milionë euro, Ilir Meta sipas tij nuk ka me asnjë dyshim se qëndron pas kompanisë borxhmbledhëse të CEZ, DIA, kohë në të cilën kreu i LSI ishte në të njëjtën tryezë të qeverisjes Berisha bashkë me Lulzim Bashën.

“Pas DIA-s është Ilir Meta. DIA është pra adresa e Ilir Metës, ose njërit prej kumbarëve siç e ka cilësuar Ismailaj, ku do të kalonin miliona euro. DIA u krijua me shtytjen e Ilir Metës dhe u fut në pazar me CEZ, prej tij, me rekomandimin e tij, me lobimin e tij në kohën kur ishte ministër i Jashtëm”, tha Basha.

Lulzim Basha denoncoi kërcënimin e dëshmitarit të mbrojtur Elvis Mataj dhe familjes së tij, ish drejtor i kompanisë DIA që ka dëshmuar përpara prokurorisë për veprimtarinë jo ligjore të saj. Për Lulzim Bashën ai po kërcënohet për një fakt të thjesht, fundosja e kompanisë DIA do të merrte me vete dhe Ilir Metën.

“Po si u shkua tek ky dëshmitar i mbrojtur nga Policia?! Kush e mban këtë fije?! Këtë fije e ka në dorë kumbari i parë Edi Rama, i cili sigurisht që po mban nën presion ortakun e tij me këtë dosje kriminale.

Nga ana tjetër, kumbari i dytë, Ilir Meta ka në dorë të nxjerrë aferën e 600 milionë eurove që iu falën apo u ndanë me CEZ nga Edi Rama, aferë që u mbyll me marrëveshjen e votuar në parlament, ku u sanksionua që hartuesit e këtij pakti nuk do të ndiqeshin penalisht. Pra u falën, u hap rruga për të ndalur ndjekjen penale që kish nisur nga qeveria e mëparshme ndaj të gjithë personave të përfshirë në këtë aferë”, vijoi Basha.

Më shumë se një vit nga miratimi i mbylljes së konfliktit me CEZ përmes votimit në Parlament, Lulzim Basha nënvizoi çuarjen e saj në Gjykatë Kushtetuese, duke mos e konsideruar të vonuar këtë lëvizje të Partisë Demokratike. Ai ftoi Ilir Metën të mbështesë projektligjin për mundësimin e hetimit ndërkombëtar që PD do të depozitojë të hënën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA