Gjermania do i trajtojë ndyshe nga të tjerët femijët e emigrantëve që hyjnë te pashoqëruar në vend. Ky është njoftimi më i fundit i qeverisë gjermane sipas së cilës janë të shumtë në numër fëmijët e pashoqëruar që kurrsesi nuk mund të lihen në të njëjtat qendra pritjeje sikurse refugjatët e tjerë.
Për ta mund të shikohet një mundësi adaptimi që do i integronte më mirë në jetën e vendit dhe do i orientonte drejt studimeve apo një tregu pune. Ndaj Bundestagu dhe Bundestrati po hartojnë një projektligj të ri.
“Refugjatët që vijnë pa prindërit e tyre në Gjermani duhet të shpërndahen duke përdorur një ligj të ri në mënyrë të barabartë në të gjithë vendet. Legjislacioni ekzistues nuk është i dizenjuar për krizën aktuale” tha ministrja gjermane e Çështjeve të Familjes, Manuela Schwesig gjatë fjalës së mbajtur në Bundestag.
Me ligjin e ri duhet të përmirësojmë kushtet për strehim, kujdesin dhe mbështetjen e fëmijëve të huaj apo adoleshentëve, tha ajo, të cilët në të ardhmen do mund të kthehen në burime njerëzore për krahinat në të cilat ata do të shpërndahen.
Të miturit e pashoqëruar bëjnë pjesë në grupimet delikate të të ardhurve, shtoi ministrja. Ata nuk mund të ndjekin të njëjtin itinerar sikurse të tjerët dhe të bëhen pjesë e listave të pritjes, por kanë nevojë për mbështetje që për momentin mund të sigurohet vetëm në qytetet më të mëdha të vendit.
Ndaj duhet filluar menjëherë me identifikimin dhe shoqërimin e të miturve që prej momentit që ata hyjnë në vend. Sipas qeverisë gjermane janë 20 deri në 30 mijë fëmijët e pashoqëruar që pritet të hyjnë në vend me fluksin e refugjatëve. Shumë prej tyre ndodhen ende në gjendje shoku përvojat traumatike të luftës dhe ndarjes nga familjarët e tyre.
Top Channel