DIA, hetojnë dy prokurori; dosje për skemë mashtrimi dhe pastrim parash

25/09/2015 19:45

Janë dy prokurori në Shqipëri që po hetojnë çështjen e DIA-s dhe pronarit të saj Kastriot Ismailaj. Prokuroria e Tiranës po heton për mashtrim dhe pastrim parash, ndërkohë që Prokuroria e Krimeve të Rënda po heton në bazë të ligjit Antimafia.

Skandali i CEZ në fakt u bë i njohur pëse muaj pasi Prokuroria e Përgjithshme me këtë deklaratë zyrtare, njoftoi se kishte arrestuar Kastriot Ismailajn, administrator i disa kompanive, shumica e tyre me aktivitet kryesor mbledhjen e borxheve të kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike, CEZ.

Ai u la në arrest me burg si i dyshuari kryesor për veprat “mashtrim me pasoja të rënda” të kryer në bashkëpunim me persona të tjerë nën hetim dhe “pastrim të parave”. Vlera që dyshon organi i prokurorisë arrin në 5 milionë euro.

Për njësinë task forcë në Prokurorinë e Tiranës rezulton se Ismailaj është ortak i disa shoqërive të regjistruara në Shqipëri, që edhe pse nuk kanë aktivitet tregetar në llogaritë e tyre kanë kryer transaksione financiare.

Sipas prokurorisë së kryeqytetit, i dyshuari Ismailaj ka krijuar një skemë mashtirimi fillimisht duke krijuar kompani fiktive apo është përfshirë në ortakëri me një kompani në Gjibraltar apo Zvicër.

Për prokurorinë, një nga shoqëritë e krijuara në vitin 2010 nga Ismailaj është edhe DIA, me kapital 50 mijë dollarë, objekti i të cilës ishin investimet finaciare, mbledhje detyrimesh dhe konsulta të ndryshme.

Pak muaj pasi është themeluar, DIA ka firmosur marrëveshje me Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes për mbledhjen e borxhit, si edhe kamatat që kishin kaluar afatin e 90 ditëve.

Marrëveshja, sipas prokurorëve, është firmosur mes Ismailaj dhe kreytarit të boprdit drejtues të CEZ, shtetasit J.H dhe anëtarit të bordit J.I. Më tej, prokuroria shpjegon se marrëveshja nuk u miratua nga CEZ e për këtë arsye tre muaj më pas është nënshkruar marrëveshja e dytë me të njëjtin objekt.

Për prokurorinë ekzistojnë të dhëna se Ismailaj me dokumenta fiktive ka përfituar në këtë skemë shumë e mbi 512 milionë lekëve duke shkaktuar një dëm të madh për CEZ dhe për shtetin shqiptar.

Paratë e përfituara, thotë më tej prokuroria, nuk janë përdorur për respektimin e kontratës, por janë depozituar duke u transferuar jashtë vendit.

E ndërsa Prokuroria e Tiranës është në pritje të një akt-ekspertize financiare për këtë dosje, të hënën në Gjykatën e Krimeve të Rënda do të shqyrtohet kërkesa e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për konfiskimin e llogarive bankare të Ismaliajt dhe kalimin në pronësi të shtetit, në referim të ligjit për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, i njohur ndryshe si ligji Antimafia.

Për prokurorinë, i dyshuari nuk ka depozituar asnjë provë se cili është burimi i ligjshëm i tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA