Liderët e Bashkimit Europian, të cilët janë takuar në Bruksel, kanë rënë dakord për rritjen e ndihmave për fqinjët e Sirisë, si masë për trajtimin e krizës së refugjatëve.
Samiti i urgjencës në Bruksel përfundoi me zotimin për të rritur ndihmat për Libanin, Jordaninë dhe Turqinë, ku miliona sirianë kanë ikur.
Gjithashtu, u premtua një bashkëpunim më i ngushtë me shtetin turk, ku është planifikuar edhe një vizitë e nivelit të lartë në mes të Tusk, Juncker dhe Presidentit, Recep Tayyip Erdogan më 5 tetor.
Liderët, gjithashtu ranë dakord që të dhurojnë 1 miliard euro për agjencinë e refugjatëve të Kombeve të Bashkuara, UNHCR-në.
Ky takim nuk ka kaluar pa debate, pasi ashtu siç pritej, disa vende anëtare të BE-së, kryesuar nga Sllovakia kanë kundërshtuar kuotat e detyrueshme për shpërndarjen e 120 mijë refugjatëve.
Por, presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker i ka përshkruar bisedimet si të “shkëlqyera”, duke shtuar se “atmosfera ishte më e mirë nga sa pritej”.
Duke njoftuar për masat, presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk deklaroi se qëllimi i këtij takimi ishte që të hiqet gishti i fajtorit nga vendet anëtare, të cilat ia kanë drejtuar njëra-tjetrës gjatë gjithë krizës.
Po ashtu, është rënë dakord që vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat po përballen me fluksin e refugjatëve, të përfitojnë më shumë asistencë teknike, duke përfshirë edhe ndihmën në përgatitjen e konferencës së Ballkanit Perëndimor që pritet të mbahet më 8 tetor.
Top Channel