Kurban Bajrami, urojnë nënkryetari i KMSH dhe kreu i bektashinjve

24/09/2015 02:20

Besimtarët myslimanë festojnë sot ( e enjte) Kurban Bajramin. Nënkryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu dhe kreu i bektashinjve, Haxhi Baba Edmond Brahimaj i uruan të gjithë besimtarët.

“Kuptimi i kurbanit dhe sakrificës në islam, nuk qëndron në derdhjen e gjakut të një kafshe, por në aktin e bindjes. I Plotfuqishmi thotë: ‘Tek Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre, por tek Ai arrin bindja juaj’. Në këtë festë afrohen zemrat, harrohen urrejtjet, njerëzit shtrijnë dorën e pajtimit, ripërtërihen lidhjet shoqërore e njerëzore, me dashuri e sinqeritet, derisa çdo shtëpi dhe familje të mbushet me gëzim e hare”, tha ndër të tjera nënkryetari i KMSH-së, Bujar Spahiu. 

“Mbarë bota myslimane do të përjetojë emocionet e ditës së Kurban Bajramit, mëshirës universale dhe mirësisë hyjnore. Si çdo ditë e vitit hyjnor, ne presim 24 shtatorin me urimet më të mira për familjen, për njëri-tjetrin, për fqinjët tanë, të kujtdo besimit të qoftë, për kombin që të ecë në rrugën e prosperitetit. Kurban Bajrami, qysh në krye të herës, është konceptuar prej të gjithëve si dita e sakrificës së madhe për dashurinë ndaj Zotit, si dita për të vërtetuar devotshmërinë tonë të thellë në rrugën e treguar prej Kuranit të lartë, profetit Muhamed dhe familjes profetike”, uroi kreu i bektashinjve, Haxhi Baba Edmond Brahimaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA