Turqi, përmbytje të rënda në qytetin turistik të Bodrumit

23/09/2015 13:45

Për Bodrumin, njërin prej destinacioneve më të preferuara turistike të Turqisë, pamje të tilla nuk janë të zakonta. Tri orë shiu të dendur të së martës mjaftuan, që rrugët e qytetit të mbuloheshin nga “lumenj” uji, që morën përpara makina e i bllokuan njerëzit në shtëpitë e tyre.

Dëmet ishin më të dukshme në rrugët Shakir dhe Dere, ku ujërat rrëmbyen të paktën 20 automjete. Punonjësit e kërkim-shpëtimit vepruan me shpejtësi, duke shpëtuar drejtuesit e bllokuar në makinat e tyre. Së bashku me ekipet e zjarrfikësve, ata arritën të largojnë edhe të paktën 40 persona nga shtëpitë e rrezikuara prej furisë së ujërave.

Me dhjetëra shtëpi e biznese u dëmtuan prej përmbytjeve të befasishme, ndërsa banorët e Bodrumit ankohen se, shkak i mbushjes së qytetit me ujë brenda një harku aq të shkurtër kohe, janë bërë ndërhyrjet në rrjetin e kanalizimeve në kuadër të projekteve për zhvillimin urban.

Të paktën 8 persona të plagosur u dërguan në spitalin shtetëror të Bodrumit. Aq i fortë ishte vërshimi i ujit, sa arriti të shkulte dhe disa trotuare e pjesë asfalti. “Nuk kam parë kurrë diçka të tillë”, tha një banor i zonës i identifikuar si Ertan Bashar.

“Ujërat arritën në 2 apo 3 metra lartësi; makinën time e morën me vete dhe e tërhoqën për gati 300 metra. Megjithatë, – shton burri me një ndjenjë lehtësie, – e rëndësishme është që nuk pati humbje jetësh”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA