Pas stuhisë së reagimeve që shkaktoi në Shtetet e Bashkuara e përtej tyre, me rritjen e çmimit të ilaçit “Daraprim” me 5.000%, Martin Shkreli vendosi të tërhiqet.
Kreu i “Turing Pharmaceuticals” u tha mediave amerikane se do ta ulë sërish çmimin e medikamentit të përdorur nga të sëmurët me HIV-AIDS (SIDA), por megjithatë pa sqaruar sesa do të jetë ky reduktim.
Shqiptaro-amerikani i bleu në muajin gusht të drejtat e prodhimit dhe shpërndarjes së “Daraprim”-it, e pas kësaj, koston e barit mjekësor – të përdorur edhe për trajtimin e infeksioneve nga parazitët, – e ngriti në mënyrë të paimagjinueshme, nga 13.5 në 750 dollarë.
Njerëz të thjeshtë e grupe mjekësore u hodhën menjëherë në sulm, duke e cilësuar veprimin sa “mizor”, aq edhe të “pajustifikueshëm”.
Vetë Shkreli u mbrojt me argumentin se, përfitimet e nxjerra prej çmimit të ri do të ndihmojnë kërkimet shkencore për trajtime të reja, ndërsa kritikët i fshikulloi duke thënë se nuk marrin vesh fare nga industria e farmaceutikës.
Por, pavarësisht kësaj, 32-vjeçari – emrin e të cilit dhe atë të kompanisë që ai drejton tanimë i njeh shumëkush, – pohoi për rrjetin amerikan “ABC” se çmimi i “Daraprim”-it do të ulet në një nivel, që të jetë i pranueshëm dhe që t’i lejojë njëkohësisht firmës të ketë fitimin e saj, edhe pse jo shumë të lartë.
Top Channel