Autoritetet ruse kanë rihapur hetimet mbi masakrën mizore të carit të fundit dhe familjes së tij, Romanovët, e ndodhur në vitin 1918.
Eshtrat e Carit Nikolai II dhe bashkëshortes së tij, të varrosura në një katedrale në Shën Pjetërburg, do të riekzaminohen. Revolucionarët bolshevikë e vranë familjen mbretërore në një qilar në rajonet Urale.
Komisioni hetimor, një strukturë shtetërore, deklaron se kontrollet e reja janë të nevojshme për të verifikuar mbetjet mortore të katër anëtarëve të tjerë të familjes Romanov.
Kisha Ortodokse Ruse kërkoi një hetim të ri të ngjarjes në korrik, pavarësisht se çështja ishte mbyllur në vitin 1998.
Disa anëtarë të kishës nuk janë ende të bindur se, mbetjet mortore të varrosura i përkasin carit dhe bashkëshortes së tij.
Romanovët u rrëzuan nga pushteti dhe u detyruan të mërgonin në vitin 1917, pak para se bolshevikët komunistë të rrëzonin qeverinë e përkohshme.
Cari Nikolai II, bashkëshortja Tsarina Aleksandra, 4 vjazat e tyre Anastasia, Maria, Olga dhe Tatiana, si dhe i biri Tsareviç Aleksei u vranë në një shtëpi të largët në lokalitetin Iekaterinburg në vitin 1918, bashkë me katër anëtarë të stafit mbretëror.
Mbetjet e 9 prej viktimave u gjetën në një varr masiv në vitin 1993, por eshtrat e Tsareviç Aleksei dhe dukeshës Maria u gjetën vetëm në vitin 2007, në një vend tjetër. Testi i ADN-së i identifikoi ata si anëtarë të familjes mbretërore.
Çifti mbretëror dhe tre vajzat u rivarrosën në Katedralen e Shën Pjetërburgut më 17 korrik 1998, që përkonte me 80-vjetorin e vrasjes së tyre.
Top Channel