Papa Françesku u prit në një ceremoni madhështore nga presidenti Barack Obama në Uashington, ku nuk munguan njerëz të shumtë të mbledhur për ta ndjekur nga afër këtë moment. Kreu i Shtëpisë së Bardhë e vlerësoi maksimalisht figurën e Atit të Shenjtë.
“Gëzimi që ka ngjallur vizita juaj i atribuohet jo vetëm rolit tuaj si Papë, por edhe cilësive të veçanta që ju karakterizojnë si njeri. Ju i jepni besim njerëzve se mund të kemi një botë më të mirë, me më shumë dashuri, liri dhe drejtësi”, deklaroi Obama.
Ndërsa Papa Françesku, në fjalën e tij i kërkoi Shteteve të Bashkuara që të marrin masa të cilat do t’i japin drejtim problemit global të varfërisë, si edhe çështjes që kërcënon jetët tona, pikërisht shkatërrimin e mjedisit.
“Ndryshimet klimaterike janë një sfidë që nuk mund të lihen në dorën e brezit pasardhës. Ne mund të themi se kemi dështuar, por tani është koha për të vepruar. Njerëzimi ende ka aftësinë për të punuar së bashku në ndërtimin e shtëpisë tonë të përbashkët”, tha Papa.
Pas takimit me presidentin Barack Obama, Papa do të marrë pjesë në një tjetër ceremoni, në Parkun Kombëtar të Uashingtonit.
Ati i shenjtë do të drejtojë një takim lutjesh me peshkopët amerikanë, si dhe një meshë ceremoniale për shpalljen shenjtor të Junipero Serras, priftit françeskan, i cili themeloi misionin katolik në brigjet e Kalifornisë, gjatë marshimit me pushtuesit spanjollë.
Papa Françesku udhëtoi drejt Amerikës, pas vizitës historike në Kubë. Ati i shenjtë ka një rol kyç në rregullimin e marrëdhënieve diplomatike të prishura mes vendeve thuajse 50 vite më parë.
Top Channel