Ndalet më në fund Borussia e Dortmund-it. Skuadra e Thomas Tuchel barazoi 1-1 në fushën e Hoffenheim-it në javën e 6 të Bundesligës, duke i dhënë mundësi Bayern-it të kryesojë i vetëm kampionatin.
Për verdhëzinjtë kjo ishte ndeshja e parë sezonale ku nuk arritën të merrnin fitoren, pas një ecurie të jashtëzakonshme në të gjitha kompeticionet. Në “Rhein-Neckar Arena” u luajt një ndeshje shumë e luftuar, çka u reflektua me ekuilibër të plotë edhe në rezultatin përfundimtar.
Sebastian Rudy i dha avantazhin e përkohshëm Hoffenheim në fund të pjesës së parë pas një pasimi të saktë të Vargas.
Verdhëzinjtë shkuan në dhomat e zhveshjes në disavantazh të një goli, por arritën ta barazonin rezultatin 15 minuta pas startit të pjesës së dytë. Aubameyang, sulmuesi kryesor i Dortmund, këtë radhë shfrytëzoi asistin e Gonzalo Castros për të mposhtur portierin Burki.
Ritmi i lojës në minutat në vazhdim ishte shumë i lartë, por mbrojtjet respektive u treguan shumë të kujdesshme duke mos lejuar ndryshim tjetër rezultati.
Për Hoffeneimin kjo pishte pika e dytë sezonale, pas barazimit 0-0 të marrë në fushën Darmstad në javën e dytë të Bundesligës, ndërsa në katër takimet e tjera ka koleksionuar vetëm humbje.
Top Channel