Marrëveshja me BB, projekti 32 milionë dollarë për  mbështetjen e shërbimeve publike

23/09/2015 10:20

Banka Botërore do të mbështesë atë që qeveria shqiptare e quan reformë në sektorin e shërbimit publik, me një kredi në vlerën e 32 milionë dollarëve.

Përfaqësues të bankës dhe qeverisë nënshkruan marrëveshjen për lëvrimin e fondit që pas fazës së inventarizimit të 1.400 shërbimeve shtetërore, kodifikimit dhe hartimit të formularëve standarde do të përdoret sipas qeverisë për ndarjen e sporteleve nga institucionet që ofrojnë shërbimin dhe vendosjen e tyre nën menaxhimin e një qendre kombëtare.

Për kryeministrin Rama kjo do të ulë mundësinë e korrupsionit në sportele dhe rrisë standardin e cilësisë së shërbimit për qytetarët dhe sipërmarrjen.

“Sportelet nuk do të varen nga institucionet, por do të jenë një institucion më vete. Një rrjet i tërë i mekanizmit të ri, i cili do të funksionojë si zëdhënës i qytetarit pranë zyrës dhe si shërbëtor për qytetarin në kontaktin me të”, u shpreh kryeministri Rama.

Një tjetër fazë e rëndësishme në këtë proces është dhe dixhitalizimi i të dhënave.

“Qytetari bën kërkesën në sportelin përkatës, dhe është ai sportel që inicion kërkesën në drejtim të të gjithë institucioneve, për plotësimin e të gjithë dokumentacionit dhe për t’i dhënë qyteatrit atë që kërkon. E njëjta gjë dhe për sipërmarrjen”, bëri të ditur kryeministri.

Ky është projekti i parë i mbështetjes financiare të paprecedentë që Banka Botërore ka ofruar këtë vit për Shqipërinë që kap shifrën e 1.2 mld dollarëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA