Koalicioni qeverisës i partive të Unionit konservator (CDU/CSU) dhe socialdemokratëve (SPD) në Gjermani ranë dakord lidhur me të gjitha pikat e reformës për të drejtën e azilit.
Ministri i Brendshëm, Thomas De Maiziere tha se koalicioni qeverisës dëshmoi aftësinë për të vepruar ndaj krizës së refugjatëve. Ai pohoi se kërkohet veprim më i shpejtë për shkak të numrit shumë të lartë të refugjatëve, dhe shtoi se masat e reja synojnë të përshpejtojnë procedurën e përpunimit të kërkesave për azil.
Sipas tij, me ligjin e ri do të lehtësohet procedura e dhënies së lejeve për ndërtimin e vendstrehimeve për refugjatë dhe të ardhurit do të kenë të drejtën e punës së ligjshme në Gjermani. Por, ligji parashikon edhe përshpejtimin e dëbimeve të domosdoshme dhe ashpërsimin e së drejtës së qëndrimit.
Refugjatëve, që krijojnë pengesa për të mos u dëbuar, do t’u ndalohet të punojnë dhe do të humbasin të drejtën e ndihmës sociale. Nënshtetasve nga të ashtuquajturit vende të treta të sigurta, krahas punës do t’u ndalohet edhe pjesëmarrja në kurse kualifikimi.
Sipas projektligjit, koha e qëndrimit në vendstrehimet e pranimit fillestar të refugjatëve synohet të dyfishohet në 6 muaj. Në këto qendra, azilkërkuesit, në vend të parave në dorë do të marrin vetëm ndihma në natyrë.
Refugjatët, të cilët kanë ardhur nga vende të tjera të BE-së, sipas projektligjit nuk duhet të kenë pretendime për të përfituar mbi bazën e ligjit të ndihmave për azilkërkuesit. Për shqyrtimin e tyre, mbi bazën e rregullores së Dublinit është përgjegjës vendi anëtar, ku kanë hyrë fillimisht refugjatët në BE.
Mbi këtë bazë, atyre duhet t’u jepet ndihmë për udhëtimin në formën e një bilete dhe ushqimit për udhëtimin. Sipas agjencisë së lajmeve AFP, projektligji parashikon gjithashtu që kërkesat për azil të njerëzve, që nuk kanë nevojë për ndihmë, të përshpejtohen dhe vende si Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi të klasifikohen si vende të sigurta origjine.
De Maiziere tha se projektligji është dërguar tani për vlerësim në lande. Të enjten do të zhvillohen konsultimet mes landeve dhe federatës në zyrën e Kancelarisë.
Top Channel