Evazioni, Rama akuzon PD-në: Bën thirrje për mospagim taksash. Reagon Berisha

23/09/2015 15:20

Kryeministri Edi Rama akuzoi opozitën se po nxit shkeljen e ligjit, duke u bërë palë me ata që fshehin taksat dhe vjedhin paratë publike.

“Nuk është e mundur, që një forcë politike që kërkon të qeverisë, e që deri dje ka qeverisur vendin, të bëjë thirrje haptazi për të mos u regjistruar, për të mos marrë kasat fiskale dhe për të mos paguar taksat”, është shprehur në Kuvend kryeministri Rama.

Rama i kërkoi Parlamentit të mbështesë paketat kundër informalitetit, por ish-kryeministri Berisha e cilësoi operacionin e qeverisë, si një fushatë terrori mbi biznesin.

“Kjo nuk është fushatë formalizimi, por është fushatë diferencimi që rikujton terroret e pushtuesve mbi popullatat shqiptare jashtë Shqipërisë”, është kundërpërgjigjur deputeti demokrat, Sali Berisha.

Berisha tha se kjo është një fushatë diferencimi, e cila godet biznesin e vogël të mbijetesës, për të mbrojtur – sipas tij, – kompanitë e lidhura me qeverinë. Por, kryeministri Rama tha se sulmi i opozitës ndaj betejës kundër informalitetit do të përfundojë si ai i operacionit të energjisë.

“Kjo është, që t’i kërkosh njërit me tezgë të presë faturën, kurse tjetrin, që bën dhjetëra milionë xhiro në ditë, ta lësh të funksionojë pa faturë, sepse rri në krah të pushtetit dhe kryeministrit” tha Berisha.

“Do të vijmë përsëri këtu në vitin 2017 dhe siç e morët në 2015-n përgjigjen për gjithë atë nxitje të kusarisë, hajdutërisë dhe vjedhjes së energjisë elektrike, do ta merrni njësoj edhe për këtë të informalitetit. Ndoshta edhe më keq, ju siguroj për këtë”, u përgjigj kryeministri Rama.

Kryeministri tha se, qeveria nuk do të tërhiqet deri në formalizimin e plotë të ekonomisë dhe parlajmëroi bizneset, që duan të mashtrojnë shtetin, se nuk do të fshihen dot pas qepenave, pasi – sipas tij, – kush do të tentojë të fshehë taksat do të përballet me ligjin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA