Dekriminalizimi, Vasili: Nisma ka nevojë për konsensus të gjerë

23/09/2015 11:15

Në një deklaratë për mediat rreth mesditës së të mërkurës, kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili është shprehur me premisa pozitive për arritjen e marrëveshjes në lidhje me procesin e dekriminalizimit.

Duke konfirmuar edhe njëherë pozicionin e palëkundur të LSI-së për këtë çështje, pra për nevojën e pasjes së një konsensusi më të gjerë sesa vetë palët politike në qeveri, Vasili ka shtuar se për çdo lloj mosdakordësie që mund të lindë gjatë shqyrtimit të dy drafteve të propozuara, të cilat në 90% të tyre janë thuajse të njëjta, do t’i drejtohen Komisionit të Venecias.

“Lidhur me procesin e shumëdebatuar të dekriminalizimit, LSI vazhdon të ketë të njëjtin qëndrim, që besoj se ka pasur edhe zhvillime pozitive në Konferencën e Kryetarëve, që ka konsistuar në dy momente të rëndësishme: në kryerjen sa më shpejt të këtij procesi, pasi zgjatja e tij në kohë ka qenë e paproduktë dhe ka mbajtur gjallë një debat të panevojshëm, e njëkohësisht ka krijuar një diskutim artificial me qëllimin e protagonizmit artificial politik. Pozicioni ynë është i qartë edhe lidhur me përmasat konsensuale të kësaj nisme, pasi çdo nismë e njëanshme do të ishte e pjesshme dhe do të shtonte mosbesimin, duke mos ngjallur besimin që njerëzit kanë dhe presin nga politika. Vendimi i dakordësuar së fundi në Konferencën e Kryetarëve në shërbim të këtyre dy momenteve, mori sot një përgjigje, sepse të gjitha nismat që lidhen me procesin dhe sfondi ligjor për ta përkufizuar atë do të jetë nën shqyrtimin e komisionit të posaçëm të përfaqësuar nga të gjitha forcat politike, mazhorancë dhe opozitë. Konsensualiteti mund të arrihet edhe për shkak se draftet e propozuara kanë pothuajse 90% të gjërave të përbashkëta, ndërsa në ato pak momente ku mund të lindin mosdakordësi, ne do t’i referohemi Komisionit të Venecias, si vlerësuesi përfundimtar, vendimi i të cilit për ato gjëra ku ne nuk biem dakord do të jetë vendim i detyrueshëm për secilën palë. Në këtë mënyrë mund ta mbyllim shpejt këtë proces dhe t’i japim fund një debati të gjatë, shpeshherë të stisur dhe të panevojshëm. Kjo linjë konsensualiteti duhet të na udhëheqë më pas edhe për reformën në drejtësi, e të gjitha së bashku na krijojnë premisat politike për të pasur një proces të mëtejshëm të çeljes së negociatave për anëtarësim në BE, objektivi madhor i yni, në një sfond krejtësisht të ri të një mirëkuptimi më të gjerë politik”, tha Petrit Vasili.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA