Papa Françesku mbërriti për herë të parë në një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara, këtë të martë, duke çuar në Uashington mesazhin se fuqia dhe pasuria e këtij vendi duhet të vihet në shërbim të njerëzimit dhe jo të humbasë rrugëve.
Ati i Shenjtë, i lindur në Argjentinë, por “baba” i mbi 1,2 miliardë besimtarëve katolikë në mbarë botën, zbriti nga një avion i “Alitalia”-s në bazën ajrore “Andrews”, pas kthimit nga një tjetër vizitë e rëndësishme të ditëve të fundit, të zhvilluar në Kubë.
Nxënës shkolle ishin mbledhur në pistën e aeroportit për të mirëpritur Papa Françeskun me brohorima teksa avioni zbriste në tokë.
“Ne e duam Françeskun, po e duam. E duam Françeskun, po ju?”, thërrisnin ata.
Duke ditur rëndësinë që Shtëpia e Bardhë i ka dhënë kësaj vizite të Atit të Shenjtë, Presidenti Barack Obama ndërmori hapin e pazakontë të të udhëtuarit drejt bazës ajrore me familjen e tij, duke e pritur Papa Françeskun me ta.
Ati i Shenjtë dhe Obama do të takohen sërish të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë, takim pas të cilit Papa 78-vjeçar do të zhvillojë një paradë përgjatë monumenteve më të njohura të Uashingtonit, si dhe përpara turmës së jashtëzakonshme që pritet të kapë shifrat e dhjetëra mijërave.
Françesku pritet të diskutojë në lidhje me emigracionin gjatë kësaj vizite 6-ditore, një nga çështjet kryesore në axhendën e tij që prej ditëve të para në krye të Kishës Katolike, në vitin 2013.
Ai do t’i adresohet gjithashtu edhe Kongresit amerikan ditën e enjte, duke u bërë Papa i parë që bën diçka të tillë, e më pas, të premten do të mbajë një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, për ta mbyllur me një meshë të hapur në Filadelfia, ku priten rreth 1,5 milionë pjesëmarrës.
Françesku kaloi 4 ditë në Kubë, ku foli dhe nxiti edhe më tej pajtimin mes ishullit komunist dhe superfuqisë botërore, SHBA-ve.
Top Channel