Kroacia mbyll kufirin. I kërkon Serbisë që t’i nisë refugjatët në Rumani dhe Hungari

22/09/2015 20:55

Refugjatët nga Siria kanë përçarë sërish Serbinë dhe Kroacinë. Për shkak të numrit të madh të azilantëve, Kroacia ka bllokuar kufijtë duke thënë se nuk do të lejojë kamionët të futen në Kroaci derisa Serbia të mos ndalojë refugjatët.

Kryeministri kroat, Zoran Milanoviç ka thënë se Serbia duhet të dërgojë refugjatët në Rumani dhe Hungari, pavarësisht se kjo e fundit ka mbyllur kufijtë.

Në një konferencë për shtyp, kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç ka thënë se reagimi i Kroacisë është i pabesueshëm dhe joserioz. Serbia ka paralajmëruar masa reciproke. Nëse kjo ndodh, gjysma e Evropës mund të bllokohet për transport të mallrave.

“Refugjatët vijnë nga Siria dhe jo nga Serbia. Atyre u ka dështuar Schengen, u ka dështuar marrëveshja e Dublinit dhe tani ne duhet të paguajmë çmimin. Nuk mjafton që jemi më mikëpritës e solidar se ta. Tani duhet të gjobitemi për mallrat tona”, tha Vuçiç.

Megjithatë, në kufirin Serbi-Kroaci, në zonën e Tovarnikut, refugjatët arrijnë në numra të mëdhenj. Për shkak të pritjeve, familja Al Hasan nuk nxiton, por i është nënshtruar fatit: “Ne jemi një vend i pasur me naftë, por janë bërë shumë kohë tani që nuk kemi jetë. Nga Iraku jemi nisur për në Evropë për një jetë më të mirë këtu, por tani nuk e dimë ku të shkojmë më dhe në çfarë drejtimi”.

Ata pasi kalojnë në pjesën kroate, presin në radhë dhe më pas dërgohen në një qendër të improvizuar ku presin të shënohen në lista. Ata nuk mund të presin në rrugë, por më pas dërgohen në kufirin e Sllovenisë dhe të Hungarisë, të dyja këto shtete që refuzojnë refugjatët në numra të tillë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA