Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë në ditën pa makina është mbushur nga këmbësorë, fëmijë, nxënës dhe qytetarë të ndryshëm që i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes së bashkisë që për një ditë të vetme të përdorin biçikletat.
“Kemi vendosur që të fillojmë çdo ditë duke bërë nga një ndryshim edhe në infrastrukturë, por edhe në kulturë. Sot në Tiranë ka 800 mijë segmente që bëhen nga makinat çdo ditë, nga të cilat 400 mijë segmente janë më pak se 1 kilometër. Nëse secili prej nesh, segmentet që janë më pak se 1 kilometër do t’i bënte me biçikletë ose në këmbë, sigurisht që do të ulnim me 50 përqind trafikun, por edhe ndotjen. Për të gjithë ata që janë stresuar pak nga trafiku sot, mjaftojnë fytyrat e qeshura të fëmijëve, ku në 364 ditë e pushtojnë të rriturit, në një ditë, qendrën e qytetit ua kemi lënë fëmijëve”, tha kryebashkiaku, Erion Veliaj.
Përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” janë zhvilluar një sërë aktivitetesh argëtuese, ndërkohë që ishte organizuar edhe një panair me produkete të njësive administrative të Tiranës.
Në ditën pa makina janë vënë re shumë nxënës shkollash dhe për këtë nuk kanë munguar kritikat nëpër rrjetet sociale. Por kryetari i bashkisë ka një përgjigje edhe për këtë.
“Nëse klasat sportive kanë gjetur që orën ta bëjnë këtu, janë mëse të mirëpritur. Qyteti është edhe i fëmijëve, shkollat janë të qytetit dhe besoj që ajo kulturë që imponohemi me transportin alternativ me ecjen dhe pedalimin është shumë e rëndësishme për nxënësit tanë dhe besoj që kjo ditë ua ofroi këtë”, tha Veliaj.
Gjatë ditës, Bashkia e Tiiranës ka bërë dhe monitorimin e ajrit në pika të ndryshme që sipas saj në mesditë ka shënuar një reduktim të ndotjes me 4 herë.
Kryetari i bashkisë, Erion Veliaj deklaron se ditën pa makina do ta shndërroje në traditë të paktën një herë në muaj dhe ajo më afërta do të jetë dita e Çlirimit të Tiranës.
Top Channel