Basha: Nuk ka bunker që mbron Ramën po preku protestuesit

21/09/2015 21:30

Në një deklaratë të shkurtër për shtyp gjatë orëve të mbrëmjes së të hënës, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka bërë thirrje kundër rrethimit të selisë së PD-së nga ana e policisë së kryeministrit Edi Rama.

Duke thënë se i gjithë ky rrethim po bëhet për të pritur errësirën dhe për të arrestuar me dhunë protestuesit, ish-të përndjekur e disa edhe përkrahës të PD-së, që janë mbledhur prej mëngjesit të sotëm përpara Ministrisë së Brendshme për prishjen e një bunkeri në ndërtim, Basha paralajmëroi kryeministrin se nuk do të gjejë shpëtim nëse policia ndërhyn ndaj protestuesve.

“Dhjetëra policë qëndrojnë prej orësh para selisë së PD-së, duke pritur të marrin natën, në errësirë dhe me dhunë protestues, që janë edhe mbështetës të PD-së. Dua të dënoj këtë akt burracakësh të bërë nga një burracak siç është Rama. Nuk frikëson dot Edi Rama asnjë demokrat, asnjë qytetar të lirë të këtij vendi, që kërkon të dalë në protestë. Secili prej nesh, ish-i përndjekur apo nga ata që po përndiqen këto kohë nuk do të dorëzohemi, sepse jemi edhe më të fortë se zbatuesit e dhunshëm të urdhrave të tij. Edi Rama mund të urdhërojë policë të rrethojnë selinë e PD-së, shtëpinë e madhe të opozitës dhe qytetarëve, por nuk do të shtojë kurrë asnjë orë dhe asnjë ditë të pushtetit të tij në këtë mënyrë, përkundrazi po afron gjithnjë e më shumë fundin e pushtetit të tij. Nuk ka asnjë bunker që do ta shpëtojë Ramën, nëse u prek qoftë edhe një fije floku cilitdo protestuesi të sotëm”, u shpreh kryetari i demokratëve, Lulzim Basha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA