Polici-OSHEE, 13 të arrestuar dhe 14 në kërkim për vjedhje energjie

20/09/2015 11:00

Operacionet e përbashkëta mes Policisë së Shtetit dhe Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, me synimin për të evidentuar dhe vënë para drejtësisë autorët e vjedhjes së energjisë elektrike dhe për të ndërprerë lidhjet e paligjshme, ka vijuar edhe përgjatë kësaj jave.

Sipas komunikatës së policisë, kanë qenë 100 grupe të përbashkëta Polici-OSHEE që kanë vepruar në të gjithë vendin gjatë 7 ditëve të fundit, të cilët kanë kontrolluar 5095 raste. Si rezultat i kontrolleve janë evidentuar 34 raste vjedhjeje energjie elektrike me 35 autorë.

Nga këta janë ndaluar 13 persona në flagrancë dhe janë shpallur në kërkim 14 të tjerë, ndërsa 8 të tjerët ndiqen penalisht në gjendje të lirë. Gjatë kësaj periudhe janë ndërprerë 1821 lidhje të abonentëve debitorë dhe 34 lidhje të paligjshme.

Veç abonentëve individë të ndjekur penalisht, këtë javë janë proceduar dhe arrestuar edhe 6 punonjës të vetë OSHEE-së, si dhe janë kontrolluar 120 kabina elektrike për lidhje të paligjshme.

Ashtu siç është bërë e ditur prej nisjes së këtij operacioni, Policia e Shtetit dhe OSHEE-ja janë të vendosur ta çojnë deri në fund punën e nisur, duke përballur me forcën e ligjit të gjithë ata persona që abuzojnë dhe vjedhin energjinë elektrike, qofshin këta përfaqësues biznesesh, individë, apo punonjës të vetë OSHEE-së.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA