Lideri i Syrizës, Aleksis Tsipras ka dalë përsëri fitues në garën e tretë zgjedhore brenda nëntë muajve të fundit dhe grekët duket se e kanë zgjedhur përsëri atë dhe partinë e tij për të vazhduar reformat që do të nxjerrin vendin nga kriza.

Syriza ka dominuar sërish duke siguruar 35,47% të votave që i japin 145 nga 300 vendet e Parlamentit, duke lënë pas me 28.09% konservatorët e Demokracisë së Re që marrin vetëm 75 vende.

Në fjalimin e fitores, në një shesh qendror të Athinës, Tsipras ka premtuar se do të sjellë stabilitetin në vend dhe se qeveria e tij do të jetë me horizont 4-vjeçar.

“Sot në Evropë, Greqia dhe populli grek janë sinonim i rezistencës dhe dinjitetit. Këtë betejë do ta vazhdojmë së bashku për një 4-vjeçar të plotë sepse mandati që kemi marrë është një mandat 4-vjeçar”, tha Tsipras.

Fitorja e Tsiprasit interpretohet nga analistët se grekët I kanë dhënë një shans të dytë një lideri që është i papërlyer në skandalet shumëvjeçare të klasës politike dhe aferat korruptive që rëndojnë mbi të, duke i besuar këtij udhëheqësi të ri, që megjithëse pa eksperiencë, me shumë gabime në shtatë muajt e qeverisjes së tij që çuan vendin gati në buzë të greminës, të paktën, sipas tyre, ka negociuar me kreditorët duke kërkuar më të mirën për vendin dhe për popullin e tij.

Dhe mbi të gjitha, si asnjë politikan tjetër ka pranuar me sinqeritet gabimet. Megjithë festimet për fitoren, jo vetëm përkrahësit e Syrizës, por gjithë grekët e dinë se vitet në vazhdim do të jenë të vështira.

“Ne dhamë një betejë të ashpër dhe të vështirë dhe unë ndihem i përligjur sot, sepse populli grek na dha një mandat të qartë për të vazhduar përpjekjet brenda dhe jashtë vendit dhe për të rritur krenarinë e njerëzve tanë”, shtoi Tsipras.

Pas mandatit të dhënë nga Presidenti Pavlopoulos, në mesditën e së hënës dhe betimit zyrtar, është gati të qeverisë në aleancë përsëri me Grekët e Pavarur, të cilët kanë siguruar 10 vende në Parlament.
 
Si një turp për vendin konsiderohet fakti që përsëri një pjesë e konsiderueshme e grekëve kanë votuar Agimin e Artë, që ka rritur radhët e tij në krahasim me janarin e kaluar, megjithëse ka marrë përsipër një vrasje politike.

Karakteristikë kryesore e zgjedhjeve ishte mospjesëmarrja e madhe, ndërsa përsëri zhgënjyen kompanitë e sondazheve që dolën se ishin aspak të besueshme.

Tsipras do të krijojë shumë shpejt kabinetin e tij qeveritar dhe të mërkurën do të marrë pjesë në samitin e lartë të BE-së për krizën e refugjatëve, pasi Greqia ka një rol qendror si pikë e hyrjes së mijëra emigrantëve nga brigjet turke.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA