Mes një turme prej mijëra njerëzish, Papa Françesku bëri parakalimin e tij në Havana, ku u prit mes brohoritjesh dhe përshëndetjesh të shumta.
Para ceremonisë, Papa Françesku mbajti një takim me Presidentin Raul Castro. Ndërsa meshën, Ati i Shenjtë e nisi me thirrjen për kishën e Kubës, për të qenë e lirë dhe për të ndjekur misionin e saj.
Papa kërkoi mbështetje të mëtejshme për katolikët e Kubës, në mënyrë që kisha të mund të vazhdojë të mbështesë dhe të inkurajojë njerëzit kubanezë, në shpresat dhe shqetësimet e tyre.
Edhe pse qeveria komuniste nuk e ka ndaluar besimin fetar, Kisha Katolike është praktikisht i vetmi institucion i pavarur me ndikim të gjerë në ishull. Por, ajo ende është duke kërkuar më shumë liri për të përhapur besimin.
Si një nga personat kyç për riafrimin e marrëdhënieve Kubë-SHBA, Papa Françesku u bëri thirrje palëve që të kthehen në “një shembull të pajtimit për të gjithë botën”, pasi kjo është rruga e drejtë.
Vatikani bëri të ditur se, shpreson që vizita e Papës të ndihmojë për të sjellë një fund të embargos 53-vjeçare amerikane dhe njëkohësisht të sjellë më shumë liri dhe të drejta për njerëzit në ishull. Ati i Shenjtë u shpreh se misioni i vizitës së tij është njësoj si ajo e një të dërguari të mëshirës, për t’i dhënë solidaritet popullit kubanez.
Top Channel