Manchester United mori një goditje të rëndë në fund të sezonit 2012-2013, kur Sir Alex Ferguson u largua përfundimisht nga stoli i “Djajve të Kuq”.
Drejtuesit e klubit menduan se David Moyes do të ishte pasardhësi i skocezit, por ai qëndroi vetëm 9 muaj në atë pozicion, para se Louis van Gaal të merrte drejtimin e ekipit.
Pas dy viteve nga largimi nga stoli i Manchester-it, Ferguson ka zbuluar arsyet e largimit të tij nga pozicioni që mbante prej vitesh.
73-vjeçari skocez tha për “The Telegraph” se nuk e kishte çuar ndërmend të largohej nga stoli i Manchester-it, por vdekja e motrës binjake të bashkëshortes së tij e detyroi atë ta linte përfundimisht punën si trajner.
“Vdekja e së motrës ndikoi jashtëzakonisht keq tek Cathy. Një natë, teksa ajo ishte duke shikuar televizor, unë e kuptova se ajo ishte në një gjendje të rëndë psikologjike. Cathy dhe Bridget ishin binjake”, tha Ferguson.
Ai ka thënë më parë në autobiografinë e tij se pas humbjes së një të afërmi, familja kishte vepruar si një katalizator për largimin e tij nga futbolli.
“Kur unë i thash Cathy-t se do të largohem përfundimisht nga futbolli, ajo nuk kishte asnjë kundërshtim”, tha ish-trajneri legjendar i “Djajve të Kuq”.
Ferguson drejtoi për 27 vjet Manchester United, duke fituar 13 tituj të Premier League.
Top Channel