Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry ka bërë thirrje për një përpjekje të re diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit në Siri.
Duke folur pas bisedimeve të zhvilluara në Londër, Kerry tha se fokusi i Rusisë në luftimin e Shtetit Islamik mund të jetë një mundësi e mirë për të arritur në një zgjidhje politike.
Shefi i diplomacisë amerikane tha gjithashtu se, kjo çështje është çelësi i zgjidhjes së krizës, sikundër dhuna në Siri është “arsyeja kyçe” e krizës së emigrantëve në Evropë.
Zoti Kerry po zhvillon një tur evropian, në fokus të të cilit pritet të jetë konflikti sirian.
Pas bisedimeve të zhvilluara me homologun Philip Hammond këtë të shtunë, ai tha se, “kishin rënë dakord tërësisht mbi nevojën e bashkimit të vendeve të ndryshme për zgjidhjen e kësaj lufte që po zgjat tej mase”.
Ai shtoi se, kriza e emigrantëve duhet të zgjidhet duke u përballur me arsyen kyçe që e ka shkaktuar atë, e që është dhuna që ka përfshirë Sirinë.
Për më shumë se 4 vjet, qeveria e presidentit Assad përballet me fraksione të ndryshme rebelësh, përfshirë këtu ISIS, që kontrollon pjesë të gjera të Sirisë dhe Irakut fqinj.
“Është mëse e nevojshme të shfrytëzojmë këtë moment, kur Rusia duket e angazhuar më shumë se kurrë kundër ISIS, për të lëvizur përpara drejt një zgjidhjeje diplomatike”, tha Kerry.
Sekretari i Shtetit shtoi se, “Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të negociojnë”, por shtroi dy pyetje:
A është Assad i gatshëm të negociojë?
A është Rusia e përgatitur ta sjellë atë në tryezën e bisedimeve?
Top Channel