Një sasi prej 320 kilogramë lëndë narkotike e llojit kanabis sativa u sekuestrua nga policia greke, në një prej operacionenve më të mëdha anti-drogë të zhvilluara kohët e fundit në Greqi.

Sipas policisë së Athinës, një sasi e lëndës narkotike u gjet në bordin e një veture në lagjien “Vula” të kryeqytetit helen, ndërsa pjesa tjetër u gjet në banesat e trafikantëve.

Këta të fundit janë arrestuar dhe rezulton të jenë dy shtetas shqiptarë dhe një rumun, të moshave 38, 48 dhe 59 vjeç. Ndërkohë, një shqiptar tjetër është shpallur në kërkim.

Autoritetet sqarojnë se 282 kilogramë kanabis ishin të përpunuara në formë çokollate, ndërsa pjesa tjetër ishte e tharë dhe e paketuar në qese plastike të mbyllura me vakum.

Në cilësinë e provës materiale u gjetën edhe: sasi të vogla drogërash të tjera si heroinë dhe kokainë, peshore elektronike, 8.100 euro dhe 45.000 lekë shqiptare, dy vetura luksoze dhe një motoçikletë.

Policia thotë se droga ishte importuar nga Shqipëria dhe do të shpërndahej në tregun grek të narkotikëve. Vlera e saj e kalon 2.5 milionë euro.

Kjo është sasia e parë e madhe e kanabisit që sekuestrohet nga Shqipëria për këtë vit, pas aksionit anti-drogë të zhvilluar në Lazarat në vitin 2014.

Ende nuk dihet se nga cila pjesë e kufirit shqiptaro-grek ka kaluar lënda narkotike, por ekspertë të anti-drogës në Athinë deklarojnë se trafikantët tashmë kanë gjetur territore dhe rrugë të reja për kalimin e tyre.

Tre të arrestuarit janë dërguar tashmë në gjykatën e Athinës, e cila ka vendosur t’i lërë në burg deri në përfundimin e hetimeve.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA