Udhëheqësi i opozitës maqedonase, Zoran Zaev pret nga prokurorja speciale, Katica Janeva, të nisë procedurat penale ndaj të gjithë personave të përfshirë në krime, pavarësisht posteve që kanë.

Ai tha se, hetime duhen hapur edhe për rastin gjyqësor “Monstra” dhe sqaroi se, ligji e detyron prokurorin special të hetojë të gjitha rastet, për të cilat ekzistojnë biseda telefonike nga skandali i përgjimeve.

Ndonëse i pyetur nga gazetarët, kreu i LSDM-së nuk tregoi nëse ka dërguar në Prokurori biseda të përgjuara për rastin e “Telekomit Magjar” dhe për ngjarjet e Kumanovës.

“Nëse ekzistojnë biseda telefonike për ‘Monstrën’, rast për të cilin unë kam bërë të ditur se ekzistojnë biseda të përgjuara, kjo do të thotë se prokurori special duhet të merret me këtë rast. Nëse, përveç dëshmive materiale për rastin e ‘Telekomit’ ekzistojnë edhe biseda telefonike, edhe me këtë rast duhet të merret prokurori special. Neve na mbetet vetëm t’i dorëzojmë në Prokurori materialet që posedojmë”, tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Kreu i opozitës maqedonase është i bindur se, përmes bisedave të përgjuara telefonike mund të zbardhen shumë lehtë të gjitha rastet, që duhen hetuar nga prokurorja speciale.

“Ligji duhet të vlejë për të gjithë njësoj. Tema e amnistisë është përmendur në bisedimet për zgjidhjet e krizës, muaj më parë, por u largua nga rendi i ditës. Nëse dikush amnistohet, kjo do të jetë shumë e dëmshme për Maqedoninë. Nëse dikush ka shkelur ligjin, pavarësisht nëse e ka emrin Gruevski, Zaev apo Mijalkov, duhet të përgjigjet”, tha Zoran Zaev, kreu i LSDM-së.

Zaev theksoi nevojën për zbatimin e të gjitha pikave që përmban marrëveshja e 2 qershorit, pasi – sipas tij, – nga implementimi i plotë i këtij dokumenti në praktikë fitojnë të gjitha palët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA