Kandidati për president në Shtetet e Bashkuara, Donald Trump është ndodhur nën sulmin e të gjitha palëve gjatë debatit të ashpër mes rivalëve republikanë për zgjedhjet e vitit 2016.
Biznesmeni miliarder, që nuk ka eksperiencë të mëparshme në politikë, ka refuzuar të kërkojë falje për komentet e bëra ndaj bashkëshortes së Jeb Bush.
Ndërkohë, kandidatja Carly Fiorina ka marrë një sërë duartrokitjesh për reagimin e saj ndaj talljeve që Trump kishte bërë për pamjen e saj.
Janë 15 republikanët që konkurrojnë për të qenë kandidati për Shtëpinë e Bardhë vitin e ardhshëm.
Kur duhet ende më shumë se një vit nga dita e votimit, debati i dytë republikan i zhvilluar në bibliotekën “Ronald Reagan” të Kalifornisë, pa rivalët Jeb Bush dhe Trump të shpërthenin disa herë.
Përplasja e tyre më e theksuar ishte kur ish-guvernatori i Floridës i kërkoi biznesmenit që të kërkonte falje për komentet ndaj bashkëshortes së tij, për shkak të prejardhjes së saj meksikane. Por zoti Trump refuzoi.
Por përgjigjia më e madhe e audiencës erdhi kur zonja Fiorina u pyet mbi një intervistë në të cilën Trump thoshte se, “ajo nuk mund të garojë për presidente. Shihni çfarë fytyre ka”.
“Unë besoj se të gjitha gratë në mbarë vendin e dëgjuan qartë atë që tha zoti Trump”, u përgjigj nga ana e saj Fiorina.
Ndërkohë, rivalët e Partisë Demokratike do ta zhvillojnë debatin e tyre të parë në tetor, në Nevada, në transmetimin e CNN.
Brenda verës së ardhshme, secila parti do të ketë një kandidat të nominuar që do të garojë për Shtëpinë e Bardhë.
Top Channel