Rezerva Federale amerikane pritet të bëjë një hap galopant përpara të enjten. Të gjithë sytë dhe veshët e ekonomive botërore janë në pritje të deklaratës zyrtare të shefes së Rezervës Federale, Janet Yellen.
Sipas të dhënave paraprake pritet që lajmi të konkretizohet me rritjen e normave të interesit në Amerikë, çfarë do të sillte dhe një efekt zinxhir ngjarjesh të lidhura me të.
Sipas ekonomistëve, kjo është hera e parë që merret një vendim i tillë, që prej fillimit të krizës financiare në vitin 2008. Diçka e tillë mbetet pozitive – argumentojnë ata, – për çdo amerikan, pasi nënkupton një rritje të investimeve në vend. Kjo do të sjellë edhe një rritje të pritshme të vlerës së monedhës amerikane, pasi kërkesa për të do të jetë më e madhe për kryerjen e këtyre investimeve.
Por, mbeten gjithashtu të vëmendshme edhe shumë shtete të tjera, të cilat i kryejnë transaksionet në këtë monedhë, që mbetet më e fuqishmja ndër të tjera në rang botëror. Të prekur negativisht do të jenë ato shtete, të cilat të ardhurat i numërojnë me tjetër monedhë dhe borxhet i kanë në dollarë.
Me rritjen e vlerës së tij nënkuptohet edhe rritja e masës së borxhit. Por, disa mbeten më shumë të ekspozuar ndaj këtij fenomeni. Ekonomistët janë përpjekur të bëjnë disa llogaritje, sipas të cilave janë vlerësuar vendet bazuar në normat e interesit, sipas secilit shtet, nivelit të tyre të borxhit, sa prej tij dominohet nga monedha amerikane dhe sa të lidhura janë ekonomitë e këtyre shteteve me këmbimin valutor të saj.
Sipas tyre, Meksika, Rusia, Ukraina dhe Venezuela janë ndër vendet më të prekura nga një lëvizje e tillë e zyrave të Rezervës Federale, për shkak të përqindjes së lartë të borxhit në monedhën amerikane. Ndaj, në një rast si ky mund të thuhet se, ajo që ndodh në Uashington nuk prek vetëm Uashingtonin.
Top Channel