MI5: Përparimi teknologjik, në favor të terroristëve

17/09/2015 16:35

Përparimet teknologjike po i lejojnë terroristët që të komunikojnë jashtë fushës së mbulimit të autoriteteve. Kështu deklaroi Andrew Parker, shefi i MI5, ose Shërbimi britanik i Inteligjencës, në një intervistë për BBC.

Sipas Parker, me këtë ritëm zhvillimi ka mundësi, që shërbimet e sigurisë të mos jenë më të afta të mbledhin infromacione të rëndësishme. Ai shtoi se kompanitë e internetit kanë përgjegjësinë etike që të lajmërojnë agjencitë për kërcënime të mundshme, ndërsa theksoi se MI5 nuk ka si qëllim që të kontrollojë jetët e publikut.

Aktualisht ministrat britanikë po përgatisin një legjislacion të ri për fuqinë e autoriteteve për të kryer përgjim elektronik.
 
“Çfarë propozohet nga ministrat duhet miratuar nga parlamenti. Kjo është thelbësore për ne që punojmë në MI5. Ne zbatojmë atë që vendosë Parlamenti”, deklaroi Parker.
 
Shefi i Inteligjencës britanike tha se kodimi i të dhënave në internet ka krijuar situata ku policia dhe agjencitë e inteligjencës nuk mund të përgjojnë as me mandat të ligjshëm komunikimin e atyre që besohet që janë terroristë. Ai shtoi se nuk i intereson askujt që terroristët të komunikojnë dhe komplotojnë pa i shqetësuar apo përgjuar askush.

Megjithatë, Parker shtoi se nuk ka garanci që autoritetet do të gjejnë dhe ndalojnë gjithçka, pasi kjo s’është e mundur.

“Nëse ne e bëjmë detyrën mirë, do të zbulojmë shumicën e njerëzve që mund të jenë rezik për vendin tonë. Por, nuk mund t’i monitorojmë të gjithë”, deklaroi Parker, duke thënë se nëse nuk monitoriohet askush, rreziku rritet tej mase.

Sipas tij, MI5 duhet të bëjë zgjedhje të vështira dhe të sigurohet se i ka përqëndruar burimet e saj tek kërcënimet më serioze.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA