TAP, s’ka marrëveshje për gazin; Shqipëria ende nuk ka prenotuar sasinë që i duhet

16/09/2015 15:30

Qeveria ka nisur paralelisht studimin e fizibilitetit dhe hartimin e masterplanit për ndërtimin e rrjetit të shpërndarjes së gazit në vend, por nuk ka ende një marrëveshje me konsorciumin TAP për sasinë e gazit që do të shkojë për tregun shqiptar.

“Gjatë negociatave që janë bërë me TAP vitet e kaluara, mund të ishte negociuar më mirë pjesa e një sasie të dedikuar për tregun shqiptar pasi nga 10 miliardë metër kub që do përcjellë TAP nga kufiri i Greqisë me Turqinë në Itali, 8 miliardë janë prenotuar nga Italia, 1 miliardë nga Bullgaria dhe 1 miliardë nga Greqia. Ndërkohë që Shqipëria nuk ka prenotuar”, tha Endri Puka, drejtor i Albpetrolit.

Por përfaqësuesi i TAP për Shqipërinë, Shkëlqim Bozgo thotë se pavarësisht sasisë fillestare që do të transportohet me nisjen e punës në vitin 2019, gazsjellësi parashikohet të punojë me regjime më intensive se në fillim, duke lënë të hapur mundësinë e përfitimit të gazit për Shqipërinë.

“Pavarësisht se 10 miliardët e parë të kapaciteteve tashmë janë të caktuara, sërish ekziston mundësia që për nevojat konkrete që mund të ketë Shqipëria të gjendet hapësirë na kapacitetet e TAP. TAP-i shumë lehtë mund ta rrisë kapacitetin nga 10 deri në 20”, tha Bozgo, drejtor i TAP-it për Shqipërinë.

Përfaqësuesi i Entit Rregullator të Energjisë thotë se para nënshkrimit të marrëveshjeve për përfitimin e gazit nevojitet ndërtimi i infrastrukturës që duhet të jetë e gatshme brenda tre viteve.

“Kur të vijë gazi, nëse nuk paguan këtë sasi gazi, ti do paguash gjobën, nuk është kollaj”, tha Maks Shuli, përfaqësues i ERE-s.

Konsumatorët e parë që mund të përfitojnë nga gazi natyror çka që do të sillte kosto më të ulët në veprimtarinë e tyre janë TEC-i i Vlorës, rafineritë e Ballshit dhe Fierit si dhe Bankers, nevoja e të cilave përllogaritet në 500 mln metër kub.
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA