Në një intervistë ekskluzive për Top Channel ish-zv.ministri i Jashtëm në qeverinë “Tsipras”, Ionannis Amanaitidis dhe ish-kreu i Grupit Parlamentar të Syrizës, Aleksandros Triandafilidhis, të dy kandidatë në Selanik, kanë deklaruar se sapo të rimarrë pushtetin qeveria e re e Tsiprasit do të fillojë menjëherë dhënien e pensioneve për minoritarët, pasi ishte kjo qeveri që solli para dy muajsh ligjin në Parlament dhe e aprovoi me shumicë votash atë.
“Ne për shtatë muaj sollëm atë për të cilën premtuam.Votuam në Parlamentin grek në mënyrë që minoritarët e moshuar të jetojnë me dinjitet, të mund të jetojnë. Besoj se qeveria e Syrizës menjëherë pas zgjedhjeve do të sjellë edhe ligjet zbatuese në mënyrë që të bëhet realitet më në fund ajo që ne e kemi votuar në Parlament, kur të tjerët nuk e bënë kurrë në vitet e kaluara”, thotë Ioannis Amanatidhis ish-zv.ministër i Jashtëm.
“Ne e kemi sjellë qysh në majin e kaluar, mbaj mend me ndërhyjren time personale tek ministri i Punës, Dhimitris Stratulis dhe ky ka qenë një premtim i plotë. Që këto pensione të minoritarëve, qoftë nga ish-vendet e Bashkimit Sovjetik, nga Shqipëria, nga Stambolli apo edhe të emigrantëve ekonomikë, që për arsye të disa kushteve të palogjikshme u anuluan, do të rifillojnë të jepen nga 1 tetori”, thotë Aleksandros Triandafilidhis ish-kreu i grupit parlamentar të Syrizas.
Megjithëse Syriza u përça, ajo tashmë ka rigjetur forcën dhe do të përpiqet që duke zbatuar paketën e tretë të ndihmës të zbuse sa më shumë reformat e kursimit, kanë deklaruar kandidatët e saj.
“Kemi hyrë tashmë në startin final, në javën e fundit dhe duket qartë se Syriza do të ketë një mundësi të dytë, që populli beson tek Aleksis Tsipras që të jetë ai negociator për marrëveshjet, ai që do të japë betejën e madhe edhe për borxhin, edhe për kreditë e këqija, edhe për ruajtjen e pasurisë së qytetarëve, edhe për rikthimin e kontratave kolektive të punës”, deklaron Triandafilidhis.
Ish-zv.ministri i Jashtëm u është referuar edhe zhvillimeve të fundit në marrëdhëniet me Shqipërinë.
“Marrëdhëniet, ashtu si me të gjitha shtetet, Syriza i sheh në reciprocitetin e bashkëpunimit midis dy vendeve, veçse problemet që dolën në muajt e fundit duhet të marrin fund. Janë probleme që nuk nderojnë një shtet modern, cilido shtet që kërkon të konsiderohet i tillë dhe besoj se veprime të tilla të njëanshme prekin në mënyrë serioze këto çështje. Por vleresoj se do të mbizotërojnë zerat e logjikshëm dhe bashkëpunimi për të mirën e të dy vendeve”, shprehet Ioannis Amanatidhis.
Të dy kandidatët janë shprehur se ajo që do të përcaktojë fituesin e këtyre zgjedhjeve do të jetë vota e të pavendosurve.
Top Channel