Një konflikt që kërcënonte përcarjen e talebanëve afganë është zgjidhur pasi të afërmit e liderit të fundit, Mullah Omar, mbështetën pasardhësin e tij.
Një zëdhënës i grupit deklaroi për BBC se, djali i madh i Omar dhe vëllai i tij u betuan për bashkëpunim me Mullahun Akhtar Mansour ditën e martë dhe se grupimi tashmë është i bashkuar.
Kjo lëvizje konsolidon pozitën e liderit të ri pas javësh të tëra pasigurie. Caktimi i tij i menjëhershëm në krye të lëvizjes rebele, pas vdekjes së Omar në korrik, kishte shkaktuar pakënaqësi tek disa liderë talebanë.
Familja e liderit të vdekur dhe një numër i konsiderueshëm figurash të hershme ishin kundër pasardhësit të prijësit të tyre dhe menjëherë në skenë u vunë re përçarjet e para.
Korrespondenti i BBC në Afganistan thotë se, djali i madh i Omar, Dawood Azami dhe vëllai i tij kanë pak pushtet ushtarak në radhët e rebelëve, por mbështetja e tyre ka një domethënie të rëndësishme simbolike.
I dërguari i rrjetit informativ britanik thotë se tashmë lidershipi i Mullahut Mansour pranohet nga shumica e talebanëve.
Zëdhënësi i rebelëve, Zaibullah Mujahid nuk zbuloi se ku ishte zhvilluar takimi mes dy vëllezërve dhe liderit të ri, por ai e cilësoi atë si një takim “të shkëlqyer”.
“Ne synojmë ta ruajmë dhe ta mbajmë të bashkuar lëvizjen tonë”, thuhet ndërkohë në një komunikatë të postuar në një faqe interneti të talebanëve.
Top Channel