Përplasje për dekriminalizimin, PS kundërshton draftin e PD

16/09/2015 14:55

Komisioni për dekriminalizimin kishte në mbledhjen e së mërkurës një nga momentet e veta kritike. Në rendin e ditës ishte diskutimi i projektit të opozitës për dekriminalizimin, por prezantimi nga qeveria i një drafti paralelel bëri që mazhoranca të vërë në pikëpyetje ekzistencën e mëtejshme të komisionit.

“Ne nuk kemi as pyetje e as diskutime për propozimin tuaj. Projektligji i kaluar sot në qeveris shpreh vullnetin tonë për t’i dhënë fund kësaj çështjeje. Ju doni ta mbani këtu”, deklaroi deputeti i PS, Taulant Balla.

“A ju mungojnë instrumentat për të hequr një nga një, siç po hiqen këto ditë me dorëheqje? Ju ka ardhur urdhëri shokë kriminelë, shpërndahuni”, reagoi deputeti i PD, Gent Strazimiri.

“Kjo punë do të vazhdojë përpara, siç është rënë dakord me partnerët ndërkombëtarë. Kërkojmë një zgjidhje me kompromis”, tha në fjalën e tij kryetari i komisionit, Oerd Bylykbashi.

Por numri dy i grupit parlamentar socialist këmbënguli për të kundërtën. “Këtu mund të rrijmë me ditë të tëra dhe nuk do të gjejmë konsensus. Ka pasur ndonjë rast konsensusi përsa kohë ka drejtuar Berisha? Nuk biem dot dakord”, tha Balla.

7 vjet më parë socialistët dhe demokratët ndryshuan bashkë Kushtetutën me kundërshtimin e LSI-së. Por tani LSI po i kujton socialistëve se pa votat e demokratëve ndryshimet kushtetuese janë të pamundura.

“Nëse s’miratohen ndryshimet kushtetuese, ça bëhet? T’i biem legenit kot?”, u shpreh Spartak Braho.

Braho nuk e la me kaq pëlqimin e tij për të bërë sa më të fortë ligjin dhe si papritur mbështeti një nga ato që qeveria i quan “propozime alla-shqiptarçe” të opozitës, siç është testi i drogës.

“Nuk është gjë ajo, të bëjmë testin e drogës. Megjithatë hajde e bëjmë. Ka shumë që e kanë përdorur drogën, jo vetëm nga ju por dhe nga ne”, tha përfaqësuesi i LSI-së.

Edhe mes vetë socialistëve u duk se kishte mosmarrëveshje sesi duhet të procedojë komisioni. “Është tërësisht e pamundur që të punojmë për një variant të përbashkët”, vijoi Taulant Balla.

“Nëse ju nuk keni miratimin e tyre, komisioni është dekapituar. Askush nuk ka tagër që ta mbyllë punën e komisionit”, replikoi Bylykbashi.

“Hajde gjejmë procedurën. Unë do të isha i nderuar që këto dy drafte t’i finalizojmë në komision”, tha më tej deputeti Ulsi Manja.

Pas seancës së të enjtes situata do të qartësohet, edhe për shkak se do të ketë një vendimmarrje politike për dy nismat paralele që ndryshojnë Kushtetutën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA