Prokurorja Katica Janeva bëri të mërkurën betimin solemn para Këshillit të Prokurorëve Publikë në Maqedoni. Pas marrëveshjes së arritur mes katër partive kryesore në Shkup një ditë më parë, zonja Janeva edhe formalisht është emëruar në detyrën e Prokurorit Special.

Në një deklaratë të shkurtë për mediat ajo tha se pret që brenda një muaji me stafin të nisë punën për hetimin e skandalit të përgjimeve.

“Sot qëndroj këtu para jush e vetme, por brenda një muaji do të mund të më shihni me stafin tim pas meje, duke marrë në dorë rastet që janë në kompetencë të Prokurorisë Speciale dhe do të fillojmë punën”, deklaroi Janeva.

Menjëherë pas emërimit të zonjës Janeva në detyrën e saj të re, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti kërkoi prej saj që të hetojë akuzat në lidhje me rastin “Magjar Telekom”, ku ai dhe bashkëpunëtori i tij më i ngushtë, Musa Xhaferi, akuzohen se kanë marrë 5 milionë euro ryshfet nga kjo kompani për të mos lejuar konkurrencë në sferën e telefonisë së lëvizshme në Maqedoni.

“Mirë do ishte që ky proces të zbardhet deri në fund dhe të gjithë ata që e shfrytëzojnë këtë moment për të denigruar politikat e BDI-së dhe për të denigruar figurën time të përballen me gjyq për shqifjet që bëjnë”, deklaroi Ahmeti.

Emri i prokurores Katica Janeva është pak i njohur në Maqedoni, madje edhe tek ekspertët juridikë. Nga viti 2003 ajo ka qenë e angazhuar në Prokurorinë Publike në qytetin e Gjevgjelisë.

Ekspertët e shohin me skepticizëm zgjedhjen e saj në detyrën e prokurorit special për shkak të rasteve të rënda që duhet të hetojë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA