U ul në dhomën e saj dhe pa dhjetëra herë xhelatin John teksa u priste kokën pengjeve të ISIS. Më pas zbriti në kuzhinë dhe telefonoi policinë: “Ejani, mamaja ime ndodhet në një pellg gjaku”.
Ka shokuar Danimarkën dhe mbarë Europën rasti i Lisa Borch, 15-vjeçarja daneze e akuzuar se ka vrarë të ëmën tetorin e kaluar.
Sipas gazetës britanike “The Indipendent”, trupi i Romer Holtergaard, një piktore 40-vjeçare që jetonte me bashkëshortin, njerku i Lisas, si dhe me disa fëmijë të tjerë në Kvisel, një qytezë në Danimarkë, u gjet i mbuluar nga gjaku i rrjedhur nga 20 plagë thike.
Vetë Lisa i tha policisë se e kishte dëgjuar të ëmën të klithte dhe se kishte parë të arratisej nga shtëpia një burrë. Por dëshmitarë të shtëpive përreth deklaruan se vajza dukej tërësisht indiferente ndaj ngjarjes dhe se në momentin kur agjentët mbërritën në shtëpi ajo ishte ulur në divan duke parë video në you tube.
Për më tepër, versioni i saj mbi ngjarjen paraqiste një sërë mospërputhjesh. Gjatë hetimeve policia, duke analizuar kompjuterin e 15-vjeçares zbuloi që pak orë para vrasjes së të ëmës kishte parë plot 20 herë videon e vrasjes së pengjeve britanikë të ISIS, David Haines dhe Alan Henning.
Por jo vetëm kaq. Në vendin e ngjarjes hetuesit gjetën gjurmët e gishtave të Bakhtiar Mohammed Abdullah, një 29-vjeçar me origjinë irakene që jetonte në një qendër refugjatësh, në afërsi të shtëpisë së Lisas.
Ndërsa në gjakun e së ëmës u konstatua një prani e theksuar ilaçesh gjumësjellëse, të cilat dyshohet se i ishin dhënë pa dijeninë e saj një natë para vrasjes.
Mohammed Abdullah dhe Lisa kishin një histori dashurie mes tyre dhe hetuesit dyshojnë se çifti dëshironte të nisej për në Siri dhe për t’iu bashkuar radhëve të ISIS.
Për më tepër, nga mbikëqyrja e tabulatëve telefonikë rezulton se liza, para se të jepte alarmin, kishte thirrur një takësi, me të cilën dyshohet se i dashuri i saj ishte arratisur nga vendngjarja.
Top Channel