Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur këtë të hënë, që kryeministri Isa Mustafa të raportojë në seancën e parë të sesionit të vjeshtës, më 17 shtator, për marrëveshjet e nënshkruara me Serbinë.
Kreu i qeverisë ka kërkuar të paraqesë informacione para deputetëve për marrëveshjet me Serbinë, por Kryesia, pas reagimit të ashpër të opozitës, ka vendosur që Mustafa të bëjë një raport para deputetëve, e jo vetëm të japë informacion.
Shefat e grupeve parlamentare të partive opozitare akuzuan kryeministrin Isa Mustafa, për marrëveshjet me Serbinë, të cilat – sipas tyre, – po e ndajnë shtetin e Kosovës.
“Kjo çfarë na ka ardhur me këtë marrëveshje është përfundimisht një ‘bosnjëzim’ i Kosovës. Me këtë i jepet Zajednicës e drejta për të zgjedhur komandantin rajonal të policisë, që përfshin 6 komuna; edhe Vushtrrinë e Skënderajn. Tani Asociacioni ka të drejtë të referojë çështje në Kushtetuese; do të ketë të drejtë për nisma ligjore, që nuk janë kategori kushtetuese. Unë mendoj se kjo është një autonomi territoriale politike, që i është dhënë Serbisë nëpërmjet kësaj marrëveshjeje”, tha Glauk Konjufca, shef i grupit parlamentar të Vetëvendosjes.
“Nëse e shihni, përveç 4 fuqive ekzekutive në 4 fusha jetike për vendin, kjo është çështja më skandaloze, ku kryeministri Mustafa ka vënë nënshkrimin e vet. Është çështja e pasurive të paluajtshme, ku përmes këtij dokumenti – nuk e di a e keni lexuar, a e keni parë, – sepse besoj që secili prej deputetëve që e lexon do të votojë kundër, – parashikohet që prona e paluajtshme në territoret e këtyre komunave të jetë pronë e Asociacionit. Kjo do të thotë se Isa Mustafa ka nënshkruar, që Ujmani, Trepça, pjesa e Veriut të jetë pronë e këtij Asociacioni, i cili nuk i jep llogari në asnjë moment institucioneve të Kosovës”, tha Donika Kadaj-Bujupi, shefe e grupit parlamentar të AAK-së.
Pas mbledhjes së Kryesisë, përfaqësuesit opozitarë konfirmuan se, përveç kundërshtimeve në Kuvend, marrëveshjet me Serbinë do të kundërshtohen edhe përmes protestave. Por kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli e ftoi opozitën t’i japë argumentet e saj për marrëveshjet e Brukselit brenda institucioneve.
“Doja të ftoja partitë opozitare, që ta konsumojnë paraprakisht debatin, për arsye se Kuvendi është vendi, ku munden të bisedojnë dhe t’i ngrejnë të gjitha çështjet. Por, në qoftë se e kanë parapërgatitur projektin e tyre për të shkuar në zgjidhje të tjera, atëherë të paktën ta kenë mirësjelljen që, kur të debatojmë, të jemi bashkërisht. Për arsye se, sot nuk ishte aspak serioze. Por, sido që të jetë, çdo veprim është e drejta e tyre”, tha Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës.
I pyetur për vendimin e udhëheqësve të Luginës së Preshevës, për formimin e Asociacionit të komunave shqiptare në Serbi, kryeparlamentari Veseli tha se institucionet e Kosovës nuk ndërhyjnë në vendimet e shqiptarëve në Luginë, pasi ata kanë përfaqësuesit e tyre të zgjedhur.
Në seancën plenare që do të mbahet të enjten, do të zhvillohet edhe interpelanca e ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, teksa do të shqyrtohen edhe projektligjet për letërnjoftimin dhe për treguesit gjeografikë, si dhe për emërtimet e origjinës.
Top Channel