Partia shqiptare pjesë e qeverisë së Shkupit, Bashkimi Demokratik për Integrim ka filluar mobilizimin për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që janë caktuar më 24 prill 2016.
Ndonëse zgjedhjet do të zhvillohen pas shtatë muajve, kryesia e kësaj partie tashmë ka caktuar shefin e shtabit zgjedhor, ndërsa zyrtarët e BDI-së kanë filluar edhe aktivitetet në terren, shumë kohë para hapjes zyrtare të fushatës elektorale.
Këtë të hënë, zv/kryeministri për euro-integrime, Fatmir Besimi së bashku me ministrin e Ekonomisë, Bekim Neziri kanë inspektuar punën e tre institucioneve që drejtohen nga funksionarë të BDI-së.
Para mediave ata u shprehën të kënaqur dhe nuk kursyen lëvdatat për bashkëpunëtorët e tyre, ndërsa mohuan se zërat se aktivitetet e tyre janë pjesë e fushatës elektorale.
“Këto aktivitete janë në suaza të platformës dhe programit të BDI për vitin 2014-2018. Ato janë të parashikuara edhe në platformën zgjedhore të BDI-së. Është çështje tjetër që kjo përputhet me fushatën zgjedhore. Mirëpo ne e dimë që këto janë zgjedhje të jashtëzakonshme, zgjedhje të cilat nuk i kemi parashikuar, ndaj vazhdojmë aktivitetet tona konform axhendës së BDI-së, pa marrë parasysh a përputhet me fushatën apo jo”, deklaroi ministri Neziri.
Ditët e fundit në terren është parë edhe vetq lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili ka marrë pjesë në përurimin e disa projekteve. Ndërkohë, mediat në Shkup kanë raportuar se parapërgatitjet e kësaj partie për zgjedhjet e ardhshme po shoqërohen me shumë përçarje dhe pakënaqësi të brendshme. Por, këto informacione i ka mohuar partia e Ahmetit, BDI.
Top Channel