Këtë të hënë ishte dita e parë e shkollës për sistemin parauniversitar, i cili edhe këtë vit pati problematikat e tij, pjesa më e madhe e tyre e shndërruar në traditë tashmë.
Pikërisht te disa prej këtyre problematikave, veçanërisht në Tiranë u ndal emisioni Fiks Fare i kësaj të hëne.
Njëra prej tyre është mësimi me dy turne për shkak të numrit të madh të nxënësve për shkolla. Prindërit thonë se mësimi pasdite është një fakt shqetësues për ta, jo vetëm për rendimentin e fëmijëve të tyre, por edhe për transportin.
Një tjetër problematikë janë tekstet shkollore. Në disa shkolla në kryeqytet, fletoret e vizatimit janë shitur me detyrim prindërve nga disa shtëpi botuese, megjithëse nuk kanë qenë pjesë e programit mësimor. Prindërit ankohen për këtë fakt.
Si të mos mjaftonte ky fakt, një tjetër problem është edhe radha. Librat shpesh shiten në ambiente të papërshtatshme, ku prindërit presin në radhë për orë të tëra për të blerë librat e fëmijëve të tyre, për më tepër, pa marrë kuponin tatimor.
Kamera e fshehtë e Fiks Fare ishte në dy shkolla, në “Dhora Leka” dhe te “Fan Noli”, ku te të dyja nuk lëshohej kuponi tatimor.
Top Channel