Evitimi i çdo lloj incidenti dhe organizimi sa më i mirë i ndeshjes Shqipëri-Serbi, sfidë tek e cila do t’i ketë sytë e gjithë Europa, ka shtyrë Federatën Shqiptare të Futbollit të forcojë masat e sigurisë dhe të bashkëpunojë për herë të parë edhe me Shërbimin Informativ të Shtetit, për një ndeshje ndërkombëtare.
Sekretari Shulku theksoi se, sfida e 8 tetorit është rasti më i mirë për t’i treguar Europës se ne dimë të bëjmë tifozllik.
Njëkohësisht, sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së pohoi se, shitja e biletave të personalizuara nëpërmjet internetit ka minimizuar në maksimum abuzimin në tregun e zi, i cili kohët e fundit ishte shndërruar në një gangrenë para çdo ndeshjeje ndërkombëtare.
Ndiqeni të plotë intervistën e sekretarit të Përgjithshëm, Ilir Shulku, dhënë për gazetarin e Top Channel, Sali Juniku.
TCH: Zoti sekretar, kampionati ka 3 javë që ka filluar. Si Federatë, a jeni të kënaqur nga ky fillimsezoni dhe a ka pasur probleme deri më tani?
Ilir Shulku, sekretar i FSHF-së: Po, normalisht jemi të kënaqur, sepse i vetmi problem që kemi hasur gjatë këtyre 3 javëve ka qenë problemi i fushave. Disa ekipe nuk kanë mundur të luajnë në qytetet e tyre, për fakte që ju tashmë i dini. Disa fusha janë në rikonstruksion e sipër. Ka pasur disa anomali në këtë aspekt, por shumë shpejt këto do të rregullohen dhe fushat, që aktualisht po rikonstruktohen, do të jenë në një nivel shumë cilësor, sidomos sa u përket tapeteve të tyre.
TCH: Meqë ra fjala te fushat, stadiumi “Loro Boriçi” u tha që do të ishte gati në nëntor. A vazhdon të jetë në fuqi po ky afat, apo…?
Ilir Shulku: Ndoshta mund të jetë edhe nëntori, siç është thënë, por mundet edhe të shtyhet me disa ditë të pakta. Megjithatë, atje po punohet fort, 24 orë në ditë dhe me këto ritme që po punohet, shumë shpejt stadiumi do të jetë gati, ndoshta nga nëntori apo dhjetori.
TCH: Kategoria e Parë filloi me vonesë. A u tejkaluan problemet që kishin klubet në lidhje me vazhdimin e sezonit?
Ilir Shulku: Kategoria e Parë ka pasur probleme të vogla, kryesisht që kanë të bëjnë me federimin e vetë klubeve, apo probleme të tilla të aspektit teknik. Megjithatë, do të thoja se kampionati filloi tashmë dhe të gjitha ndeshjet e javës së parë kanë qenë shumë të mira edhe në aspektin e cilësisë. Kemi parë shumë ekipe udhëtuese të fitojnë jashtë, çfarë do të thotë se ky kampionat do të jetë shumë i fortë.
TCH: Tre javë kampionat, por kemi pasur qysh tani disa kontestime të vogla në lidhje me gjykimet. Ju si i shikoni këto probleme?
Ilir Shulku: Mendoj se kontestime ka pasur, ka edhe do të ketë për gjyqtarët…
TCH: Rasti i fundit ishte i gjyqtarit Cjapi këtë fundjavë…
Ilir Shulku: Gabime arbitrare, e thashë, ka pasur, ka edhe do të ketë. E rëndësishme është që këto gabime të jenë të paqëllimshme. Edhe më e rëndësishme është që këto gabime të mos ndikojnë në rezultatet e ndeshjeve. Megjithatë, vitet e fundit do të thoja se niveli i gjykimit ka qenë goxha në rritje e shumë i përmirësuar, pavarësisht gabimeve që ndodhin herë pas here.
TCH: Një mendim tuajin për Cjapin?
Ilir Shulku: Realisht nuk e kam parë ndeshjen dhe nuk mund të flas për të. Nëse ka gabuar, atëherë organet dhe komisionet që merren me vëzhgimin dhe dënimin e arbitrave do të marrin masat.
TCH: A mendoni se ka rritje niveli i futbollit në Shqipëri, ndoshta jo vetëm nga viti i kaluar në këtë vit, por edhe më shumë sesa kaq?
Ilir Shulku: Padyshim. Tani, viti i kaluar ka qenë një kampionat mjaft cilësor, e për këtë jemi të gjithë të ndërgjegjshëm. Ishte një kampionat, ku në shumë ndeshje të çdo jave ka pasur mjaft rivalitet dhe mjaft cilësi. Ne shpresojmë që edhe ky sezon të jetë po i tillë. Këtë po e dëshmojnë ekipet që janë gjithnjë pretendente për trofe dhe ato që luftojnë të marrin pjesë në kupat e Europës. Ndoshta, duke qenë se është fillimi, nuk janë arritur ato rezultate të pritura nga to, por vazhdimi mendoj se do të jetë shumë i mirë. Skënderbeu, që dihet tashmë se është një ekip mjaft i konsoliduar, e që merr pjesë edhe në grupet e Europa League, është një ekip me lojtarë mjaft cilësorë dhe pretendenti kryesor për titull. Gjithashtu edhe Tirana, Partizani, Kukësi, Flamurtari, Laçi e të tjerë me radhë… Mendoj se janë të gjitha kushtet që ky sezon të jetë mjaft i bukur.
TCH: Zoti sekretar, duke lënë mënjanë futbollin në Shqipëri, le të përqëndrohemi pak te kombëtarja shqiptare e futbollit, ose më mirë te ndeshja me Serbinë. A i ka filluar FSHF përgatitjet për këtë ndeshje dhe konkretisht çfarë përgatitjesh po bën?
Ilir Shulku: Masat do të jenë shumë të rrepta për këtë ndeshje, pasi ndeshjen e kaluar me Portugalinë, ishit dëshmitarë të risisë sonë me bileta të personalizuara. Kjo do të thotë se ka qenë një stadium i monitoruar plotësisht. Këtë radhë, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit do të jetë shumë më i rreptë kontrolli. Ne do të kërkojmë që në stadium të vijnë tifozë, të cilët do të jenë aty vetëm për të përkrahur kombëtaren shqiptare. Kjo për shkak se një rezultat pozitiv në atë ndeshje, duke pritur edhe rezultatin e takimit mes Portugalisë dhe Danimarkës, do të mund të na çonte drejt ëndrrës së shumëpritur. Megjithatë, meqë më dhatë rastin, do të bëja edhe një thirrje për të gjithë tifozët që do të jenë të pranishëm në atë ndeshje. Ne kemi parësore rezultatin e ekipit kombëtar, kërkojmë prej tyre qytetari e t’i tregojmë botës se ne dimë të bëjmë tifozeri, ndeshje “fair play” dhe dimë të marrim rezultate pozitive. Kjo është kërkesa ndaj të gjithë atyre që do të jenë të pranishëm në stadium: t’i shërbejnë kësaj ëndrre, që ne e kemi pasur prej shumë vitesh.
TCH: Sa u përket biletave, ato ende nuk kanë dalë në treg, por thuhet se gjithçka ka përfunduar dhe ato janë të gjitha të shitura. Sa është e vërtetë?
Ilir Shulku: Kërkesa ka pasur shumë, ndoshta nuk mund ta them numrin e saktë, por mbi 3-fishin e kapacitetit të stadiumit. Ky është një proces nën një monitorim shumë të rreptë. Shitja e biletave do të bëhet në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, me organe shumë të specializuara, kështu që mendoj se gjatë kësaj jave – ndoshta edhe nga sot që po flasim, – do të fillojë shitja e tyre online. Në të njëjtën kohë do të fillojë edhe shitja e biletave për institucionet zyrtare e kështu me radhë. Hapi i parë do të jetë shitja e biletave online, që normalisht mund të fillojë nga sot.
TCH: Shitja e biletave online bëhet normalisht për të parandaluar shitjen e tyre në “treg të zi”…
Ilir Shulku: Ajo që ka qenë gangrenë nëpër ndeshjet e tjera, që shumëkush e quan “treg të zi”, mund të them se është zvogëluar maksimalisht gjatë ndeshjes së kaluar, për të mos thënë që nuk ka ekzistuar. Besoj se personalizimi i biletave e shmang totalisht këtë gjë, ashtu sikurse edhe shitja online, për të cilën mund ta them se me 100% nuk ekziston asnjë mundësi abuzimi.
Top Channel