Kur ka mbetur edhe një javë kohë përpara se të zhvillohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Greqi, 4 sondazhe të publikuara në shtypin grek të së dielës tregojnë thuajse një barazim midis dy partive rivale për pushtet.

Syriza, partia e ish-kryeministrit Tsipras, i cili i kërkoi këto zgjedhje për të spastruar partinë e tij nga rebelët marksistë, që nuk e mbështetën kur ai ra dakord me huadhënësit për një marrëveshje të tretë ndihme për Greqinë, ndien tashmë frymëmarrjen e konservatorëve të “Demokracisë së Re”, që ndodhet vetëm 0,2-1% pas saj.

Në 3 sondazhe, duket se në Parlamentin grek do të hyjnë 8 parti, kurse në të katërtin rezulton se mund të jenë edhe 9 të tilla, fakt që tregon se asnjë nga partitë e mëdha nuk mund të qeverisë e vetme, pa koalicion me një ose dy parti të tjera.

“Tre zgjedhjet në këto 8 muaj – duke përfshirë referendumin – janë shumë. Por, çfarë tjetër mund të bëhej kur Syriza dhe ‘Grekët e pavarur’ humbën shumicën në Parlament? Ishte vendim i vështirë”, tha Theodosis Valartas, me profesion mësues.

Një numër i konsiderueshëm i qytetarëve janë ende të pavendosur, nëse duhet të shkojnë të votojnë, ndërsa shumë të tjerë janë të zhgënjyer nga sistemi politik. Sidomos ata që votuan radikalët e majtë në janar, euforia e të cilëve tashmë është shndërruar në një cinizëm politik, pasi premtimet për të anuluar reformat e kursimit u zëvendësuan me reforma të tjera e masa financiare.

Siç shprehen pothuajse të gjitha gazetat vendase, të pavendosurit për votën e tyre do të përcaktojnë rezultatin përfundimtar, sidomos votuesit e grupmoshave të reja, që thonë se vota e tyre nuk ka asnjë peshë, pasi do të bëhet ajo që duan huadhënësit. Gjithashtu, janë të shumtë ata që mendojnë se, për këtë arsye, zgjedhjet nuk duhet të ishin bërë.

“Këto zgjedhje mund të ishte shmangur normalisht, sepse shumica e partive në Parlament, me përjashtim të një ose ndoshta dy partive, do të bien dakord për ruajtjen e marrëveshjes me BE-në”, tha Thanos Veremis, specialist për politikën europiane.

Specialistët e sondazheve vlerësojnë se, debati i ditës së hënë midis kreut të “Syriza”-s, Alexis Tsipras, dhe udhëheqësit të “Demokracisë së Re”, Vangelis Meimarakis, mund të ndikojë te një pjesë e madhe e votuesve të pavendosur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA