Anarkinë verbale e shmang liria e institucioneve

13/09/2015 00:00

ALEKSANDËR ÇIPA – Jeta dhe sidomos ligjërimi publik në vend është i gjithi anarkik. Është një version primitiv i një shoqërie që sillet dhe funksionon si parashoqëri.

Trauma dhe pasoja që po shkakton ky komunikim dhe kjo anarki e së drejtës së shprehjes, nuk lë gjurmë vetëm në psikikën kolektive të qytetarëve të vendit, por më së shumti shkakton gjurmë dhe pasoja të rënda te fëmijët që vijnë, te minorenët dhe brezi i adoleshentëve. Është një kohë e paemër, së cilës provizorisht i vunë emrin “tranzicion” dhe pagëzuesit e të cilit edhe pse nuk kanë ikur nga skena politike dhe autoriteti qeverisës, e harruan këtë emër dhe po plaken në kohën e tyre të ndenjur. Kjo plakje, si një fatkeqësi për të tjerët dhe sundim për ta, është thelbi i historisë së Shqipërisë së 24 vjetëve të fundit. Kryevendi i tyre në këtë parashoqëri dhe në këtë republikë me institucione të pabëra e të padenja për të shenjuar standarde, është triumfi i vetëm dhe poshtërues për inteligjencien dhe progresin jetik të shqiptarëve.

Ky realitet i ndenjur e ka bazën dhe e siguron tejzgjatjen e vet kohore, pikërisht tek anarkia verbale. Në këtë anarki janë zhytur të gjithë, edhe denoncuesit e guximshëm, edhe “zogjtë e fjalës së lirë”, edhe “pëllumbat korrierë”, edhe isis-arët e zinj të makabritetit mesjetar të ditëve të sotme, edhe pretendentët për rilindës, edhe ministrat e kësaj rilindje që të ngjajnë si djem të pamaturuar kurrë, edhe udhëheqësit që dalin nga zgjedhjet e certifikuara, edhe këshilltarët që grinden me parlamentarët, edhe qeverisësit e djeshëm të dëbuar me aq shumë vota dhe që pas një apo dy vjetësh bëhen protagonistë të antikorrupsionit sikur lindën nga katharsisi i një dite., etj…etj.

Në këtë paradoks ripërsërit ditët e natyrës kjo parashoqëri shqiptare. Në këtë realitet kënetik, qeveria gati dyvjeçare e Edi Ramës po shembet jo nga ndonjë lëvizje e re apo reagim i ri grupimi politik apo qytetarësh, por prej gjithfarë efektesh dhe akuzash verbale të opozitarizmit të pafre të të plakurit në qeverisje dhe politikë, Sali Berisha, apo edhe prej skotës së çjeranakëve të palodhshëm përreth tij e brenda fisit politik në të cilin ka hyrë. Por nuk është vetëm zoti Berisha që nuk ikën, qoftë dhe prej plakjes, por është një absurd i qeverisësve të rinj që po bëhen qesharakë pa ditur të çmojnë përgjegjësinë në të cilën i ka sjellë Edi Rama dhe i ka lënë Partia Socialiste. Në këtë mënyrë dhe me këtë papërgjegjshmëri që zhurmon në anarkinë e parashoqërisë sonë, me nder rilindësit që nuk kanë lidhje me brendi dhe projekt rilindjeje, po vrasin politikisht para kohe kryeministrin Rama dhe në një mënyrë të thellë krejt majtizmin dhe subjektet zyrtare të tij. Krizën, e cila e ka mbërthyer psiqikën kolektive të publikut, mund të mos ta ketë sjellë kjo qeverisje (dhe s’ka se si të ketë ajo një autorësi të tillë), por nuk po del një forcë për ta ndalur apo për ta vënë nën kontroll dhe ta mpakë sado pak. Qeverisësit po vihen në sulmin agresiv të anarkistëve verbalë. Kësaj mase të pamasë po i shtohen dhe vihen në një vijë frontale edhe opozitarët progresistë e konstruktivistë, edhe fanatikët, edhe kritikët, edhe hajdutët e djeshëm, edhe ata në detyrë, edhe të mirët, por më shumë të liqtë e lënë pa punë ligësish, edhe informalët, edhe formalistët, edhe policët në detyrë, edhe ata që u liruan se panë, edhe VIP-at e biznesit, edhe tezgistët e lagjes me pluhur. Kjo tablo e frymorëve të anarkisë dhe realitetit të parashoqërisë sonë, po e nxin rëndë e më rëndë imazhin dhe sidomos ngjyrat e qeverisjes së pretenduar të Edi Ramës. Problemi më i madh i imazhit të qeverisjes së mëtejshme të tij është ndër të tjera i lidhur pashmangshmërisht me ngritjen mbi këtë anarki verbale. Në këtë qerthull nuk gjendet vetëm Edi Rama, por krejt kjo klasë politike, në këtë qerthull gjendemi ne denoncuesit verbalë dhe ata soditësit hileqarë që vodhën e u bënë të kamur dy e ca vjet më parë. Në rrezikun e shembjes dramatike ka hyrë Parlamenti aktual, i cili mund të mos ketë krizë numrash dhe shumice aritmetikore në votime, por ka pësuar e po pëson tronditshëm, falë edhe anarkisë verbale, shembjen e legjitimitetit moral të tij. Ngritja mbi këtë anarki verbale nuk mund të bëhet duke heshtur apo duke mos e përfshirë në nismën e antiinformalitetit edhe skenën mediatike të vendit, as duke mos u marrë me pagat e padhëna të gazetarëve në shumicën e mediave, as duke e lënë median publike si shumë premtime të paprekura, por duke vendosur në komunikimin publik dhe atë institucional modelin e munguar të etikës dhe përgjegjësisë institucionale.

Anarkinë verbale, kjo klasë politike e ka përdorur diabolikisht për të neutralizuar dhe për të mbajtur peng institucionet, për të lënë Shqipërinë në tranzicion dhe në një kohë, së cilës qëllimisht ia ka harruar emrin, të cilin ia pagëzoi në krye të herës, kur shembi komunizmin. Tashmë arma që vunë në përdorim dhe e perfeksionuan gjithë “etërit” e këtij tranzicioni, po bën efektin vetëvrasës. Anarkia verbale të cilën skota e qeverisësve të larguar në 2013 e mori aq me qejf në përdorim, po shndërrohet në rrezik për kreatorët dhe investuesit e saj. Nga vetëpësimi edhe shumicën edhe pakicën politike të vendit, mund t’i shmangë e shpëtojë vetëm lëvizja e institucioneve dhe lejimi i parashoqërisë të formësohet, të funksionojë dhe të jetojë si shoqëri e organizuar dhe e administruar prej ndërgjegjes dhe bindjes institucionale. Në të kundërt, anarkia verbale, ikja nga logjika juridike dhe bindja ndaj ligjit, do të vrasë, siç po vret me gjithë llojshmëritë e vrasjeve, këdo dhe çdo të pafajshëm, sikundër shtetin ka për ta lënë më tej, “të pabërin e përhershëm”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA