Mosmarrëveshjet, ashtu siç pritej, nuk munguan dhe takimi i ministrave të Jashtëm të katër shteteve qendrore europiane me homologun nga Gjermania dhe atë të Luksemburgut, mbajtës së presidencës së radhës së BE-së, zor se do të kalojë qetë.
Republika Çeke, Hungaria, Polonia dhe Sllovakia i refuzuan kuotat që propozoi Komisioni Europian e mbështeti Gjermania. Pikërisht në këtë çështje do të fokusohen dhe bisedimet e Pragës. Komisioni kërkon shpërndarjen e 120.000 emigrantëve shtesë në vit mes 28 vendeve anëtare të bllokut, një rritje e ndjeshme e shifrës prej 40.000 vetësh që u caktua në muajin maj, e për të cilën pati gjithashu polemika.
Por idenë e kuotave të detyrueshme, vendet në fjalë që njihen ndryshe edhe si “katërshja e Vizegradit”, nuk e pranojnë, edhe pse me planin e ri të BE-së, secilit prej tyre i bie të marrë shumë herë më pak emigrantë sesa Gjermania.
Në prag të takimit, kryediplomati çek u përpoq të tregonte se hendeku mes katërshes dhe pjesës tjetër të bllokut nuk është dhe aq i thellë dhe se diskutimet do të shërbejnë për të përmirësuar mirëkuptimin mes shteteve anëtare në dritën e disa këndvështrimeve të ndryshme.
Por, më e ashpër në qëndrim duket Hungaria, mbi të cilën po rëndon dhe barra kryesore e kësaj situate. Vendi është kthyer në pikën kyçe të udhëtimit të emigrantëve për në veri të Europës, me 150.000 vetë të mbërritur atje këtë vit.
Ushtria hungareze nisi së fundi një stërvitje me qëllim përgatitjen për të marrë në një të ardhme të afërt rolin e mbrojtëses së kufirit e për të frenuar vërshimin e refugjatëve, lëvizje kjo e kritikuar nga grupet e të drejtave të njeriut. Sipas sistemit të kuotave të propozuar në Bruksel, pjesën dërrmuese të refugjatëve do ta marrë Gjermania, e pasuar nga Franca dhe Spanja, ndërsa me formulën e përllogaritur në bazë të madhësisë së vendit, fuqisë ekonomike e historikut të pranimit të emigrantëve në të kaluarën, Polonia duhet të pranojë më shumë të ardhur se vende ekonomikisht më të fuqishme se ato siç janë Austria, Suedia, Belgjika apo Finlanda.
Top Channel