
Ferrari dhe Shell do të vazhdojnë bashkëpunimin mes tyre. Kokëkuqja italiane bëri të ditur zgjatjen e kontratës me kompaninë më të njohur në sektorin energjetik dhe të naftës edhe për 5 vjet të tjerë.
“Nënshkrimi i kësaj kontratë është një tjetër hap drejt stabilitetit të skuadrës”, deklaroi shefi i Ferrarit, Maurizo Arrivabene.
“Jemi shumë të kënaqur që do të vazhdojmë bashkëpunimin me Shell. Këtë vit, ky bashkëpunim me Shell na ndihmoi që të arrinim fitoret e Malajzisë dhe Hungarisë, gjë që vërteton jo vetëm dedikimin profesional, por vë në dukje edhe rezultatin e punës së bërë si skuadër”, shtoi Arrivabene.
I kënaqur për këtë rinovim të kontratës janë shfaqur edhe vetë drejtuesit e Shell-it, të cilët theksuan se do të vazhdojnë të ndihmojnë skuadrën italiane në rrugën drejt sukseseve.
“Është e qartë se karburanti dhe lubrifikantët janë disa prej faktorëve që e lejojnë një makinë të Formula 1 të arrijë suksese”, tha John Abott.
“Për këtë arsye, raporti ynë me skuadrën më fituese në këtë botë është përmirësuar me kalimin e viteve. Jemi gjithnjë e më të vendosur për të ndihmuar Ferrarin për të shënuar sa më shumë fitore, duke përgatitur produkte akoma më të mira edhe për klientët e shumtë që janë nëpër botë”, shtoi Abott.
Top Channel