Akuzat ndaj Metës, a po përdoren politikisht?

10/09/2015 22:45

Partia Demokratike i mëshon kërkesës për dorëheqje të kreut të Kuvendit, Ilir Meta duke e akuzuar kreun e LSI-së për ryfshet në një marrëveshje që përfshin ish-kompaninë CEZ Shpërndarje dhe kompaninë DIA të Kastriot Ismailajt.

Opozita mbështet akuzat e saj në qëndrimin e zyrës së avokaturës që mbron interesat e Shqipërisë në Gjykatën e Arbitrazhit. Sipas PD, avokatët kanë deklaruar se kanë prova, që Ilir Meta ka marrë ryshfet nga kompania e mikut të tij, Ismailaj, person që gjendet aktualisht nën arrest për pastrim parash, ndërtim skeme mashtrimi dhe korrupsion.

“Kompania DIA e Ismailajt u krijua enkas për këtë biznes, për të mbledhur borxhet e CEZ-it, e sipas Agjencisë së njohur BIRN, me lobimin e drejtpërdrejtë të Ilir Metës, i cili shkoi edhe në Pragë, në zyrat qendrore të kompanisë çeke, për të ndikuar në kontraktimin e firmës në fjalë. Avokatët e qeverisë shqiptare kanë zbuluar se, firma e mikut të kryetarit të Kuvendit ka përfituar miliona euro dhe një pjesë të parave e ndante me Ilir Metën”, thotë PD.

LSI nga ana tjetër, por edhe qeveria kanë hedhur poshtë këto pretendime. Për të folur më gjerëisht rreth kësaj çështje, në pjesën e dytë të Top Story këtë të enjte, ishin të ftuar dy ish-anëtarë të qeverisë “Berisha”, kur edhe ka ndodhur marrëveshja mes DIA-s dhe CEZ-it për mbledhjen e borxheve të prapambetura.

Nga PD, sot në palën e akuzueses ishte Enno Bozdo, ndërsa nga LSI i ftuar ishte Sokol Dervishi, zv.ministër i Ekonomisë.

Bozdo i qëndroi edhe deklaratave të mëhershme të PD-së se avokatët kanë nxjerrë fakte që Ilir Meta është i përfshirë në këtë aferë, ndërsa ish-zv.ministri i Ekonomisë, Skënder Dervishi tha se në asnjë rresht të avokatëve nuk del emri i kreut të LSI-së.

“Ka një përgjigje zyrtare për këtë dhe CEZ thotë në përgjigjen zyrtare që i ka dhënë avokaturës së Shtetit, se në dosjen e saj depozituar në Arbitrazh nuk e ka përmendur zotin Meta në asnjë rast si një përfitues transfertash financiare në lidhje me marrëveshjen e mbledhjes së borxheve mes këtyre kompanive”, tha Dervishi.

Por a po përdoret kjo histori për përfitime politike. Në pjesën e tretë, panelit iu bashkuan analistët Arjan Vasjari dhe Skënder Minxhozi.

I pari që mori fjalën ishte analisti Arjan Vasjari. Ai tha se çështja nuk mund të shkëputet nga politika.

“Ka një sfond politik. Kam krijuar një bindje që në çdo version është e pamundur që historia e Kastriot Ismailjat të mos ketë një sfond politik dhe këtë e vërteton edhe nënshkrimi i marrëveshjes, vetëm 1 muaj pas formimit të kompanisë. E pamundur që të bëhet pa një suport politik”, tha Vasjari.

Edhe analisti Skënder Minxhozi tha se kjo çështje po përdoret për kapital politik. Ai i qëndroi mendimit të shprehur nga Vasjari se pas kësaj afere qëndron një mbështetje politike.

“Sot po shohim nëntokën e qeverisjes 2009-2013 ku kishte një kod omerta për të bashkëqeverisur. Këtu gjithcka përdoret për kapital politik dhe gropa ngel aty ku ishte dhe ato para kanë humbur. Që ka suport politik ka, por unë nuk dot gishtin ku”, tha Minxhozi.

Ai ftoi palët që t’i drejtohen Prokurorisë për të gjitha këto çështje. Por Skënder Dervishi tha se PD nuk mund të shfaqet në Prokurori për këtë çështje pasi nuk ka asnjë provë dhe këtë po e përdor vetëm për kapital politik.

Enno Bozdo tha se PD nuk ka në dorë dosjen në fjalë dhe s’ka si ta ketë atë, por i bën thirrje Prokurorit që të nisë hetimet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA