Sokol Cikalleshi, sikurse çdo lojtar tjetër i Kombëtares, ka qenë i mërzitur për rezultatin në fund të sfidës me “luzitanët”, por ka thënë se të gjithë duhet të jemi krenar për përfaqësuesen.
“Pavarësisht rezultatit, duhet të jemi krenar për Kombëtaren. Ne kemi arritur që të vëmë edhe Portugalinë në vështirësi. Mërzitja vjen vetëm për faktin që pësuam në fund, por tani kemi edhe dy ndeshje dhe do të kërkojmë kualifikimin që në sfidën me Serbinë”, u shpreh sulmuesi.
Cikalleshi ende nuk e ka gjetur rrjetën, pasi shtylla i ka mohuar gëzimin, njëjtë ndodhi edhe të hënën në mbrëmje përballë portugezëve. “Më vjen keq për shtyllën, por uroj që Zoti do të më ndihmojë dhe të më shpërblej me atë që meritoj”, deklaroi ai.
Ndërkohë, sulmuesi e ka pranuar që në pjesën e parë Kombëtarja nuk ka qenë në nivel, por personalisht ai ia ka arritur qëllimit, duke mbajtur larg zonës tonë mbrojtësit kundërshtarë.
“Pjesën e parë nuk e kemi mbajtur shumë topin, por ju duhet ta dini se kjo Portugali ishte shumë më e fortë. Në 45 minutat e parë tentova që të shfrytëzoj fizikun tim dhe të mbaj larg zonës tonë mbrojtësit kundërshtarë, prandaj kam qenë edhe më i distancuar me pjesën tjetër të skuadrës. Ndërkohë, në pjesën e dytë kam qenë më i bashkuar me ekipin, pasi edhe ne rifituam besimin dhe kemi arritur të bëjmë lojën tonë”, vazhdoi Cikalleshi.
Top Channel